Spahia: Rritja e numrit të të infektuarve, rezultat i keqmenaxhimit

Nga komunikimi në ABC News mbi shtimin e rasteve të të infektuarve me Covid.

Shifrat në rritje të tre ditëve të fundit janë tregues se nuk ka një strategji të përballjes me virusin Covid. Qeveria po e hedh përgjegjësinë tek qytetarët, edhe pse është fakt se institucionet shëndetësore publike janë tashmë vatra të pranuara të virusit.

Duhet një qasje tjetër, një strategji tjetër. Qeveria duhet të heqë dorë nga propaganda e të kthejë vëmendjen tek personeli mjekësor. Ata kanë vlerësimin maksimal për kushtet në të cilat po kryejnë shërbimin e tyre. Po e bëjnë me shumë përkushtim edhe pse nuk po marrin vëmendjen e merituar nga shteti, edhe kur është faktuar se ka vatër infeksioni aty ku punojnë, si në QSUT, në qendrën shëndetësore nr.9 e së fundmi sipas informacioneve edhe qendra nr.8.

Tendenca për të bërë përgjegjës shqiptarët është më së paku e padrejtë, sepse qytetarët janë përballur me izolim të rreptë dhe e kanë respektuar do thoja me seriozitet të admirueshëm. Iu nënshtruan një mënyre izolimi që kishte një mungesë ekstreme llogjike pasi brenda të njëjtës javë kishte dy ekstreme izolim total dhe liri brenda orareve të caktuara.

Nuk është grumbullimi i njerëzve problem sot, por vatrat e krijuara në institucionet shëndetësore apo bizneset me rrezik të lartë, si fasoneritë e call center-at. Fakti që janë kthyer në vatra infeksioni, dëshmon trajtimin sipërfaqësor nga ana e qeverisë të kësaj sfide që është botërore.