U dha shifër lëmoshe shqiptarëve që i mbylli për pandeminë, Spahia: E keqja duhet të shporret sa më parë!

Nga Bardh SPAHIA

E KEQJA QE DUHET TA SHPORRIM SA ME PARE!

U dha shifër lëmoshe dhe jo të gjithë, shqiptarëve që i mbylli për pandeminë; e deklaroi se nuk ka ndërmend që t’u japë një paketë të tretë ndihme, sic bënë vendet e tjera e tani del se nuk u paguan as rrogat arsimtarëve, edhe pse data 8 Qershor!!!! Fakt është se ndërsa miraton fondet për koncesione miliona euroshe për pak njerëz pranë tij, Edi Rama as nuk e konsideron t’u japë një mbështetje jo maksimale, por të paktën dinjitoze për qytetarët e vet, edhe pse ditë pas dite shohim biznese të mbyllen, sepse e kanë të pamundur mbijetesën, duke shtuar kështu si rradhët e të papunëve, por edhe numrin e atyre që kërkojnë mënyrë për të ikur sa më parë nga ky vend.

Policinë e ka instrument dhune ndaj qytetarëve, fiks si në një shtet diktatorial, dhe gjestet flagrante për të cilat dorëheqjet do ishin imediate në cdo vend demokratik, i kalon me ndjesë verbale. Kjo sepse prej 7 vitesh tashmë ligjet dhe prokuroria në këtë vend kanë funksionuar vetëm për qytetarët e zakonshëm dhe për ata që i kanë prishur rehatinë diktatorucit të Shqipërisë.

A ju kujtohet se si u mbyll thirrja antiligjore drejtuar policëve, që të bënin fushatë për PS? A nuk ishte “drejtësia e re”, që e quajti të mjaftueshme, “ndjesën në Facebook” të kryeministrit? Për pasojë, shërbëtorët e këtij modeli, si drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, do bëjë të njëjtën gjë. Po i fshihet përgjegjësisë, edhe pse lincoi një zonjë publikisht, edhe pse gënjeu publikisht parlamentin! “Ndjesa” si mënyrë për të mos iu nënshtruar ligjit, kur e shkel atë!!!!

Ky është modeli skandaloz i regjimit që është instaluar prej 7 vitesh në vend! Kjo është e keqja që i ka kapur për fyti shqiptarët, duke i penguar të ecin përpara e të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë, me punë e në këtë vend. Të majtë, të djathtë e qytetarë pa preferenca politike e ndjejnë njëlloj këtë, e po bashkohen në bindjen se ky model duhet të rrëzohet sa më parë!