Zidane paralajmëron Barcelonën

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka bërë të ditur se ai është i përkushtuar ta mbyllë sezonin 2019/20 me trofe, pasi skuadra e tij u kthye në stërvitje grupore këtë javë, pas rreth 2 muaj pauzë shkaku i koronavirusit.

Strategu francez i drejtoi disa seanca stërvitore në kampin Valdebebas gjatë kësaj jave, pasi që lojtarët në La Liga janë lejuar t’u kthehen stërvitjeve, përkundër që këtë do të duhet ta bëjnë për një kohë në grupe të vogla.

La Liga shpreson që sezonin 2019/20, që u suspendua në mars shkaku i pandemisë koronavirusit, do të mundë të rinisë muajin e ardhshëm. Presidenti i ligës, Javier Tebas, e ka menduar 12 qershorin si datën e rinisjes së kampionatit.

Real Madridi aktualisht radhitet në pozitën e dytë në tabelën e La Ligës, mirëpo i ka vetëm dy pikë më pak sesa liderja Barcelona. Zidane planifikon t’i bëjë konkurrencë rivales sapo të rinisë sezoni.

“Kjo javë ka qenë shumë e mirë sepse ne po punojmë në grupe më të vogla. Ne mund të stërvitemi më shumë në aspektin fizik, teknik dhe për taktika. Ekipi duket më mirë këtë javë dhe javën e ardhshme me siguri do të jetë edhe më mirë”, ka thënë trajneri francez.

“Ne duhet të mendojmë pozitivisht sepse jemi me fat që jemi kthyer në punë, që jemi këtu në fushë dhe e gjitha kjo më duket një gjë e mirë”.

“Na kanë mbetur edhe 11 ndeshje dhe do të përgatitemi për ta përfunduar mirë e fuqishëm sezonin. Në fund, gjëja e rëndësishme është ta japësh maksimumin, të fitosh diçka. Ne jemi këtu, kjo është ADN-ja e klubit, të tentojë të fitojë”.