Zhduket në mënyrë misterioze nënoficeri i Gardës në Tiranë

Nënoficeri i Gardës së Republikës, Ervin Derguti ka humbur para 8 ditësh ndërsa u nis për në punë mëngjesin e 27 prillit.

Prej asaj dite nuk ka më asnjë informacion për të riun. I ftuar në studion e emisionit, “Pa gjurmë” ka folur daja i tij Haxhi Vela i cili ka sqaruar se për humbjen e nipit ka mësuar pas dy orësh pas nisjes së tij për në punë.

Njoftimi i familjarëve ishte bërë nga komanda e repartit të Gardës e cila mori në telefon familjen duke njoftuar se 27-vjeçari nuk ishte paraqitur në punë.

“Ishte situatë e papritur, dramë për të gjithë familjen. Ai u nis si çdo ditë në punë. Kaloi ora 8:30-9:00 dhe komanda e repartit merr në telefon familjen, pasi Ervini nuk ishte paraqitur në punë. Kjo mjaftoi që të informohemi se Ervini ishte zhdukur. Ai kishte me vete telefonin që rezulton i fikur. Nga ai moment mësuam se diçka mund të ketë ndodhur. E merr në telefon nëna dhe telefoni doli i fikur.

Pyesim në çdo vend dhe asnjë gjurmë e tij. Nuk ka qenë problematik si në shoqëri por edhe ne punë. Nuk ka pasur asnjë konflikt apo debat që na jep një sinjal për të kuptuar diçka që nuk shkon me të. Ditën e fundit që është larguar nuk e ka pasur armën me vete.”- tha daja e të riut.

Nëna e të riut, duke e patur të pamundur paraqitjen në studion televizive për arsye shëndetësore ka folur në lidhje telefonike.

“Djali në 5 e gjysmë të mëngjesit u nis për punë dhe nuk ka vajtur. Atë moment kur ka ikur nuk e kam takuar. 1 ditë me parë ka pasur komunikim me një person që nuk e kuptova për çfarë bëhej fjalë. Pasi e pyeta më tha që bisedova me një shok pune. Djali ka qenë i stresuar nga koha e pandemisë, shfaqej i mërzitur. Më pyeste pse s’po dalim, pse s’po hapen rrugët.”- tha nëna e djalit.

Pas publikimit të këtij rasti ka mbërritur një telefonat, ku dyshohet se i riu është parë në qytetin e Elbasanit.

Ervin Derguti u nis për në punë në orën 05:30 të mëngjesit nga banesa në Sauk të Tiranës. I riu nga Burreli ka mbi 30 vite që jeton në zonën e Saukut bashkë me familjen e tij, ndërsa kishte më se 2 vite që punonte si nënoficer shërbimi në Gardën e Republikës. Që nga periudha e izolimit për shkak të situatës nga Covid në vend 27-vjeçari nuk kishte munguar asnjëherë në punë ndërsa kishte vijuar normalisht.

Edhe të hënën e datës 27 prill, ai doli herët në mëngjes për të marrë turnin, ndërsa në orën 6 mëngjesit telefoni i tij doli i fikur. Familjarët kanë mundur të marrin edhe kamerat e sigurisë në rrugicën pranë banesës së tij, ku dallohet lëvizja e fundit e të riut, por nga verifikimet e bëra atë ditë ai nuk është paraqitur në punë, një destinacion që zgjat jo më shumë se 10 minuta në këmbë.

Familja nuk ka asnjë informacion, kur kanë kaluar ditë edhe pas denoncimit të bërë në polici.

Një letër u është dërguar nga familjarët edhe Ministrisë së Brendshme por nuk është mundur të zbulohet ende asgjë për fatin e 27-vjeçarit. Në dijeninë e familjes nuk kishte pasur konflikte me askënd, përveç një telefonate që bëri një ditë para se të zhdukej. Një shok e mori në telefon dhe nënës i pohoi se ishte një koleg i punës. Kishte më se një muaj që ishte mbyllur në vetvete.

Ditën që doli nga shtëpia ka qenë civil dhe nuk e ka pasur me vete armën e shërbimit. I veshur me një xhup ngjyrë gri e hapur, pantallona blu, atlete të zeza, poshtë xhupit një këmishë me vija, Ervin Derguti ka humbur çdo gjurmë të tij.