Yuri Kim: T’u jepen fund lojërave, të bëhet Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim u ka bërë thirrje forcave politike që t’i japin fund lojërave dhe pazareve me Reformën Zgjedhore dhe me atë në Drejtësi. Teksa ishte duke hyrë në ambientet e KPA, Kim tha se, që Shqipëria të jetë një aleat i fortë i SHBA-ve duhet ti japë sa më parë fund ‘Reformës në Drejtësi dhe Reformës Zgjedhore.

“Mesazhi im është shumë i qartë, SHBA-të duan atë që dhe populli shqiptar do. Ne duam që Shqipëria të jetë një aleat i fortë i Amerikës, dhe të jetë pjesë e familjes së madhe të BE-së, nuk mund ta keni këtë pa Reformë Zgjedhore dhe pa Reformën në Drejtësi. Kjo nuk mund të bëhet me pazare, ka ardhur koha që t’u jepni fund lojërave, dhe të bëhet Reforma Zgjedhore dhe ajo në Drejtësi, njësoj siç populli shqiptar është duke e pritur”, u shpreh Kim.

Gjatë gjithë ditëve të fundit, ambasadorja amerikane, por edhe diplomatë të tjerë në vendin tonë, kanë zhvilluar takime mjaft intesive me të gjithë krahët e politikës, ku iu kanë kërkuar përfundimin sa më parë të dy reformave. Kim ka propozuar dhe ndryshimin e sistemit në vendin tonë, për të aplikuar atë danez me lista të hapura, por derimë tani nuk ka pasur një dakordësi të gjerë nga klasa politike në vendin tonë.