Veliu, jo vetëm pasqyrë e Ramës: Produkt i sistemit pervers Rilindje

Kryeministri Edi Rama, Drejtori i Pergjithshem i Policise se Shtetit, Ardi Veliu, Ministri i Brendshem, Sander Lleshaj, ne ceremonine e inagurimit te godines se re te forcave RENEA, ne Yzberisht, me rastin e 107-vjetorit te krijimit te Policise se Shtetit./r/n/r/nPM Edi Rama, General Director of State Police, Ardi Veliu, Minister of Interior, Sander Lleshaj, at the inauguration ceremony of the new RENEA force building in Yzberisht, on the occasion of the 107th anniversary of the creation of the State Police.

Nga Enver BYTYÇI

Ardi Veliu nuk është pasqyrë e Edi Ramës, as e Sandër Lleshit. Ai është produkt i një sistemi që si filozofi ka denigrimin e familjes shqiptare, të dinjitetit dhe integritetit të qytetarëve shqiptarë, të personalitetit të çdo kujt që nuk është me Rilindjen. Eshtë pasojë e perversitetit politik e moral të regjimit të sotëm në Shqipëri.

Ky sistem funksionon si një mekanizëm i plotë jo vetëm në kupolën e shtetit, të policisë, prokurorisë, gjykatave, administratës publike, por edhe të medieve të kapura prej shtetit. E jo vetëm kaq ky sistem pëlqehet jo pak nga qytetarët tanë, të cilët mbartin një kulturë politike e të përgjithshme nga sistemi totalitar.

Problemi nuk është vetëm Ardi Veliu, problemi është Edi Rama, i cili çdo post të destinuar për ushtrim dhune ua beson njerëzve të hurit e të litarit. Kështu ndodhi me prefektët, të përzgjedhur nga hierarkia e lartë ushtarake e diktaturës. Kështu ndodh me ish-oficerët e sigurimit të shtetit, të komanduar dhe emëruar në poste të larta në polici dhe struktura të tjera ligj-zbatuese. Kështu ndodh edhe në shumicën e medieve shqiptare, ku shteti ka instaluar një kontrollor nga soji i Ardi Veliut!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar në paraqitjen e tij në komisionin e Sigurisë të Kuvendit u shfaq jo thjesht duke dëshmuar “shfaqjet e huaja” të një djali 15- vjeçar dhe jo vetëm që të justifikonte dhunën barbare të policisë së tij kundër atij 15-vjeçari. Ai shfaqi në atë takim mentalitetin dhe filozofinë e trashëgimisë nga prindi te fëmija të sjelljeve të këqija dhe “shfaqjeve të huaja”!

D.m.th lufta e policisë dhe shtetit të rilindjes kundër qytetarëve shqiptarë bazohet në filozofinë e genit biologjik, njësoj si në diktaturat e majta komuniste! Prandaj kryepolici shqiptar nuk denigroi dhe nuk ka fyer vetëm nënën e djalit 15-vjeçar, duke shpifur për një pamje të paqenë. Ai ka shkuar shumë më thellë.

Ka manifestuar konceptin diktatorial dhe filozofinë e luftës me genin e shqiptarëve, të cilët guxojnë të lëvizin me biçikletë në kohë pandemie. Aq e dukshme është kjo qasje filozofike e praktike, saqë e vërejmë lehtë në përpjekjet e qeverisë së rilindjes për ta shpopulluar Shqipërinë prej shqiptarëve!

Kryepolici nuk e kishte problemin me mbrojtjen e vartësve të tij, të cilët edhe në diktaturë mund të merrnin ndëshkime ndoshta më të rënda.

Problemin e kishte me guximin e të riut për sfiduar shtetin e dhunshëm, që izoloi gjithë shoqërinë shqiptare në mënyrë barbare e të pakuptimtë.

Problemi i Ardi Veliut nuk ishin e nuk janë dhuna policore, sepse atë ai e tejkaluar në dhjetëra raste me kundër trumave masive. Nuk e ka e nuk mund ta ketë as me fenomenin. E gjithë brenga e tij është ajo çfarë mendon kryeministri i vendit: Pse qytetarët shqiptarë guxojnë ta kundërshtojnë diktaturën.

Pra, çeshtja lidhet me ruajtjen me çdo kusht e me çdo mjet të pushtetit.

Denigrimi moral bazuar në filozofinë e trashëgimisë “të së keqes”, vlen si mjet i kësaj lufte speciale të qeverisë së rilindjes, njësoj si në qeveritë e diktaturave.

Ajo video që kryepolici shqiptar paraqiti në institucionin përgjegjës për mbrojtjen e demokracisë e të dinjitetit njerëzor ishte mjeti më pervers i mundshëm për të na thënë se “shtetin shqiptar e mbron një qeveri dhe polici e moralshme”, që “lufton kundër shfaqjeve të huaja liberale”, si në kohën e komunizmit. E ndërkohë shqiptarët përballen me një qeveri e kryeministër që fyen dhe denigron çdo njeri që i del përpara, përfshirë politikanë, gazetarë, shkrimtarë, artistë, mjekë, profesorë, shkencëtarë, këdo, pa përjashtim.

Dhe, si përfundim, zgjidhja nuk gjendet te Ardi Veliu, jep apo nuk jep ai dorëheqjen, zgjidhja e vetme është e duhet të jetë largimi sa më parë i qeverisë Rama, e cila prodhon filozofinë e mjerimit dhe shkatërrimit të identitetit dhe personalitetit të qytetarëve shqiptarë, madje bazuar në doktrinën e trashëgimisë.