Vaksinën kundër Covid-19 do ta marrin të parët amerikanët, zemërim në Francë…

Kompania e madhe farmaceutike franceze, Sanofi, deklaroi se amerikanët do jenë të parët në radhë për të marrë vaksinën e koronavirusit. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Paul Hudson tha se nëse prodhojnë një vaksinë të suksesshme, dozat e para do shkojnë për amerikanët, të cilët ofruan një partneritet me kompaninë në shkurt.

Por kjo deklaratë ka zemëruar francezët. Një zyrtar qeveritar tha se është e papranueshme që t’i jepet prioritet amerikanëve. Zëvendësministrja e Ekonomisë në Francë, Agnes Pannier-Runacher tha se është e papranueshme që amerikanët të kenë privilegje bazuar te preteksti financiar.

Kjo përplasje nxjerr në pah se sa e egër mund të bëhet gara për prodhimin e vaksinës. Më shumë se 140 ekspertë dhe liderë botërorë kanë nënshkruar një letër të hapur të enjten, duke thënë se vaksina duhet të jetë e të gjithëve. Sipas tyre, kjo vaksinë dhe kura e mundshme duhet të jenë falas.

Megjithatë, në një konferencë të organizuar nga BE për të mbledhur fonde për vaksinën dhe kurat e mundshme, munguan SHBA, Kina dhe Rusia.