U procedua nga policia pse takoi fermerët, Salianji: Agresion propagande. Do vijoj të takoj qytetarët

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka reaguar pas procedimit nga policia për takimin me fermerët në Divjakë ditën e djeshme.

Në një lidhje për Fax News, Salianji tha se, uria dhe varfëria nuk njohin ligje të shpikura, dhe se qytetarët derimë tani i kanë zbatuar masat në mënyrë rigoroze, dhe presin që qeveris tiu kthejë mbrapsht mbështetjen që ata e meritojnë, pasi janë taksapagues së rregullt.

“Është një turp i madh që bën qeveria, që bën shoqërime për agjitacion dhe propagandë, për mua këto janë medalje, e them pa modesti. Është turpi i tyre që mbajnë të mbyllur vendin, në një kohë që nuk i ndihmon qytetarët, kërkonq ë të zhvendosë vëmendjen nga vuajtjet e qytetarëve.

Aty nuk ka pasur asnjë grumbullim njerëzish, për më tepër që ajo është pjesë e zonave të gjelbra, ishte një njoftim idiot, ku kanë ngatërruar dhe funksionet e njerëzve.

Siç do thoshin dhe fermerët e Lushnjes, qeverisë i ka ardhur ngordhja. Nuk ka uria ndonjë formë që të ndalon me ligj, nuk mund të lihen shqiptarët që të vdesin brenda shtëpisë, nuk mund të ketë halli i qytetarëve mbyllje brenda shtëpisë. Qytetarët i kanë respektuar masat në mënyrë rigoroze, tani është koha që qeveria tiu kthejë qytetarëve atë që iu merr përmes taksave”, tha Salianji.

“Procedimi është agresion propagande, me asnjë vlerë ligjore. Biseda u zhvillua në një ‘zonë të gjelbër’. Do të vijoj që të takoj qytetarët, nuk tërhiqem”, deklaroi Salianji.

Policia ka proceduar tre zyrtarë të Partisë Demokratike, mes tyre dhe ish-deputeti Ervin Salianji. Ata akuzohen se “Organizuan grumbullime të paligjshme në kundërshtim me masat e nxjerra nga organet shtetërore në gjendjen aktuale të epidemisë COVID-19”.

Burime zyrtare nga Policia e Lushnjës bëjnë me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë proceduan penalisht shtetasit:

-Ervin Salianji, 32 vjeç, banues në Tiranë, sekretar i Burimeve Njerëzore pranë Partisë Demokratike;

-Marjus Seitaj, 31 vjeç, banues në Berat, këshilltar pranë Partisë Demokratike;
-Julian Gjini, 40 vjeç, banues në Divjakë, kryetar i Partisë Demokratike, dega Divjakë;

-E. H., 39 vjeç, banues në Divjakë, shitës perimesh;
-R. H., 33 vjeç, banues në Divjakë, shitës perimesh;
-A. J., 50 vjeç, banues në Divjakë, fermer;

Sipas policisë, “ditën e djeshme, shtetasit E. S., M. S. dhe J. Gj., në rolin e organizatorëve, kanë shkuar pranë pikës së grumbullimit të perimeve në fshatin Mizë, Divjakë dhe kanë grumbulluar fermerë dhe banorë të zonës, duke mos zbatuar Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 i ndryshuar, si dhe ndryshimet e Kodit Penal të nxjerra nga organet shtetërore në gjëndjen aktuale të epidemisë COVID-19.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”, në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur, të cilët po hetohen në gjendje të lirë”.

Kujtojmë se dje, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji zhvilloi një takim me disa fermerë në Lushnjë, të cilët kanë ngritur shqetësimet e tyre, ndërsa akuzojnë qeverinë se ajo i ka braktisur në këtë kohë pandemie. “Bujqësia është sektori që nuk ka marrë asnjë qindarkë ndihmë nga qeveria, megjithëse, në regjistrat e shtetit llogariten si të punësuar rreth 461 mijë persona”, theksoi Ervin Salianji duke denoncuar situatën e vështirë të fermerëve.

1 20

2 18