U kap me 863 mijë euro, miku i Tahirit i shpëton burgut, “dënohet” me punë të detyrueshme në Bashkinë e Tiranës

Orest Sota, djali i biznesmenit të hekurit Lefter Sota, është dënuar nga gjykata e Elbasanit me 240 orë punë të detyrueshme pranë bashkisë së Tiranës. Vendimi është marrë pak muaj më parë nga gjyqtari Taulant Tafa, i cila ka vendosur të deklarojë fajtor dhe dënojë Sotën, fillimisht me 4 muaj burgim për akuzën e “Drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Por ky dënim me burg është pezulluar nga gjykata, e cila ka vendosur të detyrojë biznesmenin Orest Sota, të kryejë dënimin duke bërë 240 orë punë të detyruar në bashkinë e Tiranës. Në vendimin e gjykatës thuhet se:”…puna në interes publik të kryhet brenda një afati 6 mujor, nga momenti që vendimi të marrë formë të prerë. Një kopje e vendimit t’i dërgohet Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Bashkisë Tiranë…”.

Ndërsa për sa i përket akuzës së “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, ky hetim është veçuar dhe vijojnë verifikimet e mëtejshme për të zbuluar origjinën e shumës prej 863 mijë euro, të sekuestruara në makinën e Orest Sotës. Por ka shumë gjasa që në ditët në vijim, kjo akuzë të pushohet nga prokuroria e Elbasanit.

Orest Sota, u arrestua në Elbasan në vitin 2017, ku në makinën e tij u gjetën një shumë prej 863 mijë euro dhe dy patentat e lundrimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në momentin e arrestimit ai drejtonte mjetin pa patentë, ndërkohë nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar dhe për pasojë uniformat blu i janë vënë nga pas, duke e arrestuar në hyrje të kompanisë “Kurum”.

Prokurorët e Krimeve të Rënda, dyshonin se shuma prej 863 mijë euro mund të kishte lidhje me çështjen e ish-ministrit Tahiri, por avokati i biznesmenit në atë kohë u shpreh se shuma ishte nga kursimet e babit të tij, Lefter Sota dhe do të dërgohej tek kompania e çelikut “Kurum” si garanci për një sasi të madhe hekuri.

Pasi u mbajt dy muaj në paraburgim, për t’u hetuar, Orest Sota, u la i lirë kundrejt garancisë pasurore 50 milion lekë, duke ju caktuar masa e detyrimit për t’u paraqitur pranë organeve të hetimit, dy herë në muaj. Gjyqtarët e Apelit për Krimet e Rënda, Saida Dollani, Sokol Binaj dhe Fehmi Petku, pranuan ndryshimin e masës përballë garancisë pasurore prej 5 milionë lekë të reja.

Por pas më shumë se një viti të mbajtjes së kësaj çështje në dorë, Krimet e Rënda vendosën të shpallin moskopetencën lëndore dhe çështjen t’ia kalojnë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Elbasanit, e cila ka vendosur marrjen e të pandehur të Sotës dhe dërgimin e tij në gjyq për dy vepra penale, për të cilat ai u dënua me 240 orë punë të detyrueshme në bashkinë e kryeqytetit.

oresti