Tragjedi në Berat, humbin jetën xhaxhai dhe dy nipërit e tij, ishin duke punuar në pus

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Dyshnik në Berat, ku tre persona kanë humbur jetën, teksa kanë qenë duke bërë gërmime për pastrimin e një pusi.

Që prej orëve të para të mëngjesit, zjarrfikëset dhe policia po punonte për nxjerrjen e tyre pasi ishin bllokuar në pus, por fatkeqësisht të tre nuk kanë mundur që të mbijetojnë.

Neim, Kamber dhe Gentian Hoxha, humbën jetën teksa pastronin pusin, I vetmi që doli i gjallë nga pusi ishte Neim Hoxha, por për shkak të gjendjes së rënduar ai humbi jetën gjatë rrugës për në spitalin rajonal të Beratit.

Dyshimet janë se tre familjarët kanë ndeshur në një xhep gazi, ç’ka ka shkaktuar dhe asfiksinë e tyre, që i solli dhe humbjen e jetës.

Dëshmitarë që ndodhen në vendngjarje kanë treguar se, dy personat i kanë ardhur në ndihmë, Kamber Hoxhës që ishte bllokuar fillimisht brenda, dhe më pas kanë mbetur edhe vetë nën gërmime. Kamberi është xhaxhai i Neimit dhe Gentianit, ndërsa pusi përdorej për vaditje nga ana e familjes.

Ngjarja ka ndodhur në familjen Hoxha, ndërsa drejt banesës kanë shkuar dhe familjarë e komshinj, për ti ardhur në ndihmë dhe zjárrfikësve e policisë.