Territore dhe falje e kriminelëve serbë në këmbim të amnistisë për Hashim Thaçin?!

Enver Bytyçi

Josep Borrel hoqi mantelin e shefit të Sigurisë dhe Politikave të Jashtme të BE-së dhe veshi veladonin e priftit spanjoll pa ditë më parë kur refuzoi të bëhej më Papë se”Papa” Hashim në raport me marrëveshjen Kosovë-Serbi! Shkurt, u bë palë me politikat që çojnë në ndarjen e Kosovës, kur tha se “Nëse palët duan, atëherë unë nuk mund të bëhem më Papë se Papa”. D.m.th, nëse Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq janë dakord, pse të mos e mbështesë dhe ai shkëmbimin e territoreve dhe ndryshimin e kufijve?! Ai e di se me këtë politikë mbështet projektin për Serbinë e Madhe dhe rritjen e pranisë ruse në Ballkanin Perëndimor. Dhe me këtë logjikë ai shkon në kundërshtim me politikat që ia dikton funksioni që ai kryen në Komisionin Europian.

Nga ana tjetër kjo deklaratë e Borrel i ka turbulluar më shumë ujërat dhe ka nxit projektuesit e shkatërrimit të shtetësisë së Kosovës dhe ndarjes së territorit të saj që të marrin kurajo për të punuar më fort në këtë drejtim. Presidenti i Kosovës është më aktivi në këtë drejtim. Me një këmbëngulje prej Herkuli Hashim Thaçi bën çmos që ta realizojë projektin e Aleksandër Vuçiq. Ndaj pa asnjë paralajmërim axhende ia hipën avionit një herë në muaj dhe fluturon për në Amerikë ose kryeqytete e qytete të ndryshme të Europës ku organizohen samite ndërkombëtare e ku bëhet bashkë me presidentin e Serbisë. Siç e kemi vënë re vazhdimisht nga videot dhe fotot e këtyre samiteve, edhe pse aty kanë marrë pjesë personalitete politike të Kosovës, shoqëria dhe aranzhimi i sjelljeve, fjalimeve dhe qëndrimeve të Hashim Thaçit ishin me zotin Vuçiq është i jashtëzakonshëm.

Gjithçka dëshmon se Hashim Thaçi është rreshtuar me projektin serb të ndarjes së Kosovës. Këtë fakt ai e ka pohuar në mënyrë të vazhdueshme gjithashtu gojarisht. Dhe ajo çfarë është më e trishtueshme ka të bëjë me faktin se Thaçi është investuar për kompromis me Serbinë, duke këmbyer territore me qëllim që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale të Hagës dhe krimeve që ka kryer ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Ne e dimë tashmë se kjo gjykatë u ngrit me vendim të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, si dhe me këmbënguljen e miqve e partnerëve të fuqishëm të Kosovës, pas akuzave të Dick Marty ndaj zotit Thaçi.

Për t’i shpëtuar gjykatës presidenti i Kosovës vendosi që t’i japë territore të vendit të tij, Serbisë. Ndërkohë Serbia që të përfitonte më shumë nga kërkesa e Hashim Thaçit për zhbërjen e Gjykatës dhe amnistinë e tij si i akuzuar për krime gjakftohta, këmbënguli që edhe Kosova të japë amnisti për krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë. Kësisoj presidenti i Kosovës në këmbim të jetës dhe mazhit të tij i ka ofruar Beogradit jo vetëm territore, por edhe faljen e kriminelëve serbë, të cilët shkaktuan në Kosovë 13000 të masakruar, plus mbi 2000 të tjerë të zhdukur, si dhe 20 mijë të përdhunuar. Ai ka shpreh gatishmërinë e tij që të falë gjithashtu miliarda euro dëme materiale të Serbisë në Kosovë.

Dhe për ta realizuar këtë projekt anti-shtet, anti-pavarësi, anti-Kosovë, anti-shqiptar, Hashim Thaçi ka mundur t’u bëjë presion gjithnjë më të shtuar kundërshtarëve të idesë serbe të ndarjes në Prishtinë e në Tiranë. Në Prishtinë ai mundi ta shndërrojë kreun e LDK-së në një vegël qorre në shërbim të tij. Ka mundur me forma të ndryshme të neutralizojë (dua të jem gabim për këtë) Ramush Haradinajn. Dhe mundi ta rrëzojë nga pushteti legjitim kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin. Vjosa Osmanit i vjen radha pas kryeministrit, nëse ajo do të rezistojë!

Në Tiranë Thaçi duket se i ka josh disa politikanë kryesorë që të paktën të heshtin e të mos reagojnë fuqishëm kundër projektit serbo-rus për ndarjen e Kosovës. Përjashtim bën vetëm Sali Berisha! E të gjitha këto i ka arrit përmes shpifjeve të vazhdueshme te partnerët ndërkombëtarë, sidomos ata amerikanë. Madje deri aty sa të gjithë kundërshtarët e idesë së ndërrimit të kufijve t’i konsiderojë si “antiamerikanë”!

Trysnia e Thaçit ndaj politikanëve kundërshtues ka funksionuar me ndihmën e Beogradit dhe Moskës. Fushatën që ai udhëheq për projektin e Serbisë së Madhe e sponsorizon Beogradi në forma të ndryshme, me para, kontakte, përçimin e opinioneve dhe ideve të përbashkëta në kanalet diplomatike e jo diplomatike, përmes miqësive të dyanshme etj. Asnjë hap diplomatik i presidentit të Kosovës në këto tri vitet e fundit nuk është hedh pa sponsorizimin në forma të ndryshme të Beogradit dhe Moskës. Madje edhe Edi Rama ka kontribute të mëdha sponsorizimi prej miliona eurosh në këtë fushatë anti-kombëtare! Edi Rama për momentin ka zgjedhur të heshtë, por sapo peshorja të anojë nga ideja e ndarjes së Kosovës, do të zgërdheshet, duke i sfiduar shqiptarët me pyetjen frenuese: “A ju thashë”?

Borrell e di se projekti Thaçi-Vuçiq është është projekt i dy presidentëve dhe kryeministrit të Shqipërisë. Ai i njeh në detaje aktorët e realizimit të projektit, ashtu siç njeh edhe regjisorët, skenaristët dhe sponsorët e tij. Jo pak herë Borrell ka sulmuar nga zyrat e qeverisë së Beogradit Kosovën, i sponsorizuar nga Ivica Daçiç. Tashmë në Bruksel duket se ka ndërruar lëkurën, për zakonin nuk e ka harruar! Sepse shefi i Politikave të Jashtme evropiane e di edhe faktin se 90 përqind e popullsisë dhe e politikanëve në Kosovë janë kundër këtij projekti shkatërrues për shtetin dhe për rajonin.

Mos e thashtë Zoti që edhe Borrell të punojë, njësoj si Mogherini, për interesat ruse e serbe e ruse në Bashkimin Europian, kur paguhet për të kundërtën e kësaj! Megjithatë, ai ka të drejtë kur thotë se “nuk mund të bëhet më Papë se Papa”, sepse edhe Hashim Thaçi paguhet e është pasuruar me gjakun e qytetarëve të Kosovës për t’i shërbyer interesave të Serbisë dhe të Rusisë në Kosovë!