Teatri Kombëtar nuk është më!

Hamit TAKA

Teatri Kombëtar nuk është më. U shemb pavarësisht kundërshtime të masës së artistëve dhe qytetarëve, këshillave të BE dhe thirrjeve të dëshpëruara të Agjensisë evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë “Europa Nostra”.
Në dy dekada, godina historike në zemër të Tiranës ka kaluar në një sagë hedhje-pritjesh mes institucioneve dhe politikës, ndërsa degradimi i saj nuk u ndal. Por, realisht, nuk është prishur Teatri Kombëtar, u shemb godina e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar mund të shkojë në një godinë tjetër. Mund të vijojë me vite të tjera të japë shfaqje e të ndërrojë breza aktorësh. Problemi tani është se nuk ekziston më një godinë me histori e kujtesë emocionale për qytetarët e Tiranës, kryeqytetit tonë. Dhe bashkë me të u shemb edhe epoka e teatrit, historia e plejadave të artistëve, që kanë derdhur energjitë dhe djersën e tyre në atë godinë, u shemb historia e kulturës së qytetit të Tiranës, u fshinë ndjesitë dhe emocionet e mijra qytetarëve, të cilët janë ulur në llozhat e tij, për të shijuar veprat e artit dramatik.

Teatri është burim energjish. Duke qënë një mjet shplodhjeje për popullin, teatri e bën atë më të aftë për të vepruar të nesërmen. Njerëzit e thjeshtë dhe të shëndetshëm, veç të tjerave, nuk mund të kenë gëzim të plotë në plogështi, jashtë aksionit. Ndaj teatri është një banjë aksioni. Teatri është një art që vërshon shëndet dhe gëzim. Dhe kjo “banjë aksioni” ka qënë ajo godinë që u shëmb. Duke qënë kështu, në atë banjë energjie mijra qytetarë kanë rigjeneruar energjitë e tyre dhe atje kanë kujtimet e tyre. Këta qytetarë duan të kthehen herë pas here në këtë institucion, ku ata kanë mbresa të pashlyeshme.

Romen Rolan ka thënë: Dëshironi një art të popullit? Atëherë filloni të keni një popull, një popull të lirë, një popull që ta ketë shprtin të lirë e që mund të gëzojë, një popull që të ketë kohë të lirë, që të mos e mbys mjerimi, puna e rëndë e pandërprerë, një popull të çliruar nga të gjitha supersticionet, nga fanatizmi i majtë e i djathtë, një popull zot të vetes dhe fitmtar.
Sikur të ndaleshim vetëm te kjo maksimë e shquar e shkrimtarit të mirënjohur në vendin tonë dhe të shikonim gjëndjen e popullit tonë, do të vëmë re se tabloja është krejt e kundërta: ne kemi një popull që e mbyt mjerimi, pa shpirtin e lirë, se liria e tij dhunohet nga pushteti i pakufizuar i kryeministrit dhe strukturave të qeverisë së tij, i pa çliruar nga fanatizmi i hershëm e i sotëm majtist. Realisht qytetarët e kryeqytetit kanë 20 vjet pa teatër, qëkur ish-ministri i Kulturës, Edi Rama, hodhi idene e prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Tani që godina u shemb plejada e aktorëve dhe qytetarët tiranas, jo që nuk kanë godinë teatri, por s’kanë as ku mishërojnë kujtimet e mbresat e tyre. Kalojnë para ish-godinës së teatrrit kokulur e të mallëngjyer, sepse u mungon altari i ringjalljes së mbresave të tyre.

*****
Ish-godina e Teatrit Kombëtar ose, më mirë kompleksi, ka nisur të ndërtohet në vitin 1938 me projekt të arkitektit italian Xhulio Berte dhe përfundoi në vitin 1940. Ai u quajt në atë kohë “Rrethi Skënderbeg” dhe shërbeu si zona e elitës kulturore dhe të emancipuar shqiptare. Në të u vendos jo vetem kinemaja dhe teatri, por edhe Instituti i Studimeve Shqiptare, ku u ngritën bari dhe restoranti më elitar i qytetit. Pra, ai kompleks ishte qendra e jetës intelektuale të qytetit. Më 1944 ajo u quajt “Kinema Kosova”, ndërsa më 1945, Teatri Popullor. Prej vitit 1945 teatri ka patur atje selinë e tij, e, për një kohë edhe “Klubi i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”. Pra godina ka një histori inxhinjerike, arkitektonike, kulturore, urbane e sociale – dëshmi e një kontributi të madh shoqëror e historik dhe përbën një monument kulture, që duhej ruajtur.
Pra, godina e teatrit nuk ishte një objekt koti, ajo simbolizon qytetrimin e vendit tim, është dëshmi se para nesh kanë jetuar qytetarë artdashtës dhe jo barbarë të pafe, që ushqehen me kërma. Ndoshta policit a një shitësi fiqsh nuk i intereson arti, sepse për ta ka rëndësi rroga e bukës së fëmijëve apo “pazari” dhe i duhet tefteri dhe mbushja e hambarit… se kaq horizont ka, por e mirëkuptoj se ajo që bëri është thjesht “kontrata” që i mundëson të mbushi llogarinë. Si mund ta justifikojë këtë një kryeministër që vjen nga radhët e artistëve, që nuk i intereson teatri, nuk i intereson arti, nuk i intereson shpirti i ndjeshëm i artistit, por, në pamundësi për t’i varur sheshesh, i shkeli, i dhunoi trotuaresh dhe shtëpinë jua shëmbi mbi koka…

Që prej vitit 2000 u hodh ideja që godina nuk ishte më funksionale për një teatër, ndaj ai duhej të zhvendosej diku tjetër, ose të rindërtohej aty. Idenë e mbronte kryesisht Ministri i Kulturës, Edi Rama. Për fat të keq, që atëherë, e deri ditën e shembjes së godinës, debati u fut në rrugë të shtrembër dhe krejt të gabuar. Ai u spostua si një debat mbi Teatrin Kombëtar, në vend që të ishte debat për Trashëgiminë Kulturore.Debatet për shembjen a mosshembjen e godinës së Teatrit Kombëtar zgjati 20 vjet, nga 2000 deri në 2020. Edhe ky debat, si çdo debat midis ne shqiptarëve, domëthënë midis vedi, skenat tashmë janë të njohura: Biseda nis me një mirësjellje false, fjala kalon nga një debatues te tjetri dhe ngec mizorisht, pashpirtërisht kur dy bisedues nuk bien dakord me atë që po thuhet. Aty fjala bëhet më e rëndë dhe më fshikulluese, më sharëse dhe më poshtëruese se çdo gjë që mund të mendohet dhe imagjinohet më parë.

Ofendimet, të vërtetat që përzihen me të pavërtetat, cinizmi dhe fjalori i papërshtatshëm fluturon nga studio televizive në divanët e shqiptarëve, duke u kthyer në një teatër i ushqyer me një energji të paparë negative, të cilën, duan s’duan, do ta hedhin edhe ata diku, në rrjetet sociale më kollaj. Por, ndërsa këmbëngulte te vlerat historike të Piramidës, së ndërtuar në 1988-n, Edi Rama prej vitesh kishte tjetër mendim për godinën e Teatrit Kombëtar, ndërtuar nga italianët në 1938-n, teksa planifikonte shembjen e tij.

Këto që thamë deri këtu përbëjnë anën e jashtme, teknokratike e burokratike, zyrtare e jozyrtare, diskutime, propozime dhe kundërpropozime, kalim nga një instancë në tjetrën, vendime, kundërshtime, ndryshime e prapë vendime deri te përfundimi vandalist.. Miëpo, poshtë kësaj veprimtarie tejet arbitrare, duket se është një rrymë e turbullt dhe e pistë uji i reminishencave ideologjike dhe filozofisë mohuese të çdo gjëje, e mirë apo e keqe, që kishte ekzistuar nga regjimet e mëparshme, vendase apo të huaja para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri.

Mbase termi Rilindje, sipas Ramës dhe të tijve do të thotë, të prishim gjithça, pavarësisht se çfarë ishte dhe ta ribëjmë si duan rilindasit e rinj, që ajo të pasqyrojë idetë e shijet e tyre. Por unë ruaj mendimin se këtu kemi dhe probleme ideologjike dhe trashëgiminë komuniste, e cila kishte parimin të shkatërronte gjithçka nga e kaluara: së pari pronën private, duke u nisur fillimisht nga ajo e pronarëve më të mëdhenj deri te krijimi i kooperativave; së dyti, besimin fetar, e cila u realizua plotësisht në vitin 1967 dhe, së treti, kulturën, duke filluar me intelektualët që ishin arsimuar jashtë shtetit me fondet e tyre apo të mbretërisë, deri te shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore. Kush na siguron me kaq, mbase nesër do të kërkohen të prishen edhe ndërtimet e tjera të projektuara nga inxhinierët italianë, të cilat, sot për sot, janë më të bukurat e më madhështoret në Tiranë.

Me këtë veprim kryeministri shqiptar, të cilit s’ia ndien as për mendimet e dëshirat e shqiptarëve, as për vlerësimet e organizmave ndërkombëtare, tregoi se ai e ka përfundimisht edhe ligjin edhe Maliqin, ai është një padron i gjithëpushtetshëm arbitrar dhe autokrat i pakundërshtueshëm.