“Taksa e sheshtë 9%”, Basha: Premtimi im nuk është luksi, por një ekonomi dhe Shqipëri normale 

Lulzim Basha: Partia Demokratike qëndron për taksën 9% për taksën e sheshtë.

Pyetje: Jeni i bindur për këtë sepse e kam dëgjuar që e keni përsëritur dy –tre herë këtë gjë?

Lulzim Basha: Është e panegociueshme. Ia kam thënë edhe aleatëve tanë që mund të negociojmë aspekte të tjera të programi ekonomik me të cilën jemi në fazë të përparuar në përfundim të këtij plani, po e pasurojmë edhe me aspektet anti COVID sepse sigurisht kjo është një situatë që kërkon masa të tjera, por 9% taksë e sheshtë është e panegociueshme.

Pyetje: Pra, do të jetë 9% taksë e sheshtë për çdo qytetar dhe biznes të Republikës së Shqipërisë?

Lulzim Basha: Me përjashtim të 300 mijë lekëshit të parë ku do të jetë 0%.

Pyetje: Pra, për ata që marrin deri 300 mijë lek do të jetë 0 dhe për këdo mbi 300 mijë lekë….

Lulzim Basha: Dhe për këdo tjetër 300 mijë lekëshi i parë do të jetë I përjashtuar dhe pjesa tjetër do të tatohet 9%.

Pyetje: Kanë rëndë dakord edhe LSI-ja dhe forca të tjera?

Lulzim Basha: Taksa e sheshtë 9%, kontributet shoqërore 18%, riprezantimi I fashës së energjisë për biznesin për biznesin prodhues, fashës mbrojtëse jo asaj që është sot dhe për shtresat në nevojë. Heqja e taksës Rama për karburantin që e bën karburantin tonë më të shtrenjtin në Europë dhe si rezultat prodhimet tona jokonkuruese që nga trangulli, speci, domatja, shalqiri dhe deri tek prodhimet industriale apo shërbimet tona janë më të shtrenjta se të Kosovës, janë më të shtrenjta se të Maqedonisë së Veriut, të mos marrim të tjerat, pikërisht prej këtyre faktorëve. Kjo është një pjesë, mund ta zhvilloj edhe më shumë se ka edhe masa të tjera por do të jem me ekipin tim që t’ua tregoj.

* Taksa e sheshtë 9%,
* Kontributet shoqërore dhe shëndetësore 18%.
* 9% mbi 300 mijë lekëshin, duke hequr 300 mijë lekëshin e parë.

Kjo është pjesa fiskale dhe nuk ka asgjë të përbashkët me rrenimin që quhet taksë progresive, me hajdutërinë që quhet taksë progresive që kishte një qëllim që të gjunjëzonte të varfrit dhe të shkatërronte shtresën e mesme dhe ata kanë marrë goditjen më të madhe.

Askush para meje nuk ka guxuar që për interesin publik të sakrifikojë interesat e partisë së vet, siç ishte djegia e mandateve apo që të hedhë një hap ekstrem, por që sot të gjithë e kuptojnë se përballë kanë një njeri, një autokrat që është e keqja e vendit Edi Rama, që është e keqja e Shqipërisë Edi Rama, që është e keqja e çdo familje. Sot kjo ka sjellë bashkimin më të madh të njerëzve, edhe të majtëve, domosdoshmëri për ta larguar.

Detyra ime është që me alternativën time të siguroj këdo, jo vetëm votuesit e mi, por edhe të majtët që me Lulzim Bashën dhe me qeverinë e ardhshme do të jenë në duar të sigurta dhe që ekonomia nesër do të ndryshojë, do të mundësojë mirëqenie për të gjithë jo vetëm për një grusht njerëzish që janë bërë pashallarë të këtij vendi.

Dua t’i siguroj shqiptarët që unë kam planin, kam vizionin, kam vendosmërinë, përvojën dhe ambicien t’inxjerr nga kjo situatë ekonomike. Nuk ju premtoj as luks, as pasuri marramendëse, por ju premtoj qeverisje normale, ekonomike normale, Shqipëri normale.