Studentët kundër zgjedhjeve në universitete: Është një proces zgjedhor përjashtues…

Zgjedhjet në universitete për rektorët dhe senatet janë kthyer në çështje debati në opinionin publik. Studentët  shprehën të vendosur kundër këtij procesi, i cili sipas tyre përjashton vullnetin e 60 për qind të tyre pasi nuk mund të marrin pjesë në këtë proces për shkak të pandemisë globale të COVID-19.

Anëtari i Lëvizjes “Qëndresa Qytetare”, Çeldo Brahimaj në “Ilva Now” tha se, zgjedhjet në universitetet nuk mund të bëhen duke përjashtuar studentët, pavarësisht se pesha e votës së tyre është vetëm 10 %. Ai shtoi se i kanë dërguar një letër të hapur ministrisë së Arsimit për këtë proces diskriminues që po u bëhet studentëve shqiptarë.

“Ky proces zgjedhor do të jetë një proces përjashtues, pasi 60 për qind e studentëve iu hiqet e drejta për të kandiduar dhe për të zgjedhur. Në fakt kjo pyetje është logjike, sepse kemi probleme me përfaqësimin në nivel qendror.  Pesha e votës tonë është modeste, por një grup njerëzish dhe studentësh kanë zgjedhur që të ngrenë zërin. Me iniciative të qytetarëve të një grupi studentësh, që janë një vlerë e jashtëzakonshme si individ dhe si grup, hapat e parë janë ndërmarrë sot dhe i është dërguar një letër e hapur ministrisë së Arsimit ku janë vendosur të gjitha problematikat”, tha ai.

Ai tregon hapin e radhës që pritet të merret nga vetë studentët.

“Po sot është bërë një kërkesë tek Komisioni Parlamentar për Edukimin, ku është kërkuar një dëgjesë me ministren e Arsimit për çështjen e zgjedhjeve, nëse ne nuk marrin reagimin e dëshiruar do t’i drejtohemi Gjykatës Administrative”, shtoi ai.