Spahia: Kurba e Covid-19 jo reale, qytetarët nuk po marrin dot shërbimet e tjera shëndetësore

Nga komunikimi i ish-deputetit Bardh Spahia me Fax News për situatën me Covid-19

Numri i ulët i testimeve në Shqipëri është bërë për të fabrikuar një realitet të rremë. Kjo situatë vazhdon edhe sot, pasi së pari ka një mungesë të thelluar transparence nga autoritetet. As sot nuk dihet numri i saktë i kiteve që disponohen, apo i atyre që u shpërndahen operatorëve për t’i realizuar.

Fatkeqësisht, pavarësisht denoncimeve tona, bazuar në ankesa kryesisht të personelit shëndetësor, as sot nuk ka një përpjekje për të shfrytëzuar sakrificën e madhe të shqiptarëve që qëndrojnë të mbyllur, duke realizuar sa më shumë teste e gjurmime, të cilat do na jepnin një avantazh më të madh ndaj Covid-it dhe do afronin kohën e “hapjes”. Ky virus sipas fakteve të dala në dritë së fundmi është shfaqur që në janar në vend, por autoritetet thjesht kanë heshtur, duke humbur kohë të cmuar.

Përkundër këtij keqmenaxhimi ndaj Covid-19, qytetarët kanë qenë vulnerabël në problemet e përditshme shëndetësore, sepse ka mungesë të plotë të marrjes së shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet, që nga mjeku i familjes e deri tek ndërhyrjet kirurgjikale. Nuk arrij ta kuptoj llogjikën e nxjerrjes së disa urdhërave, mbase lidhet me mungesën e një mjeku në gjithë strukturën vendimmarrëse, (as kryeministri, as ministrja e shëndetësisë e as drejtori i QSUT nuk janë mjekë), pasi nuk arrijnë të kuptojnë rëndësinë e mosshkëputjes së shërbimit ndaj pacientit.

Simbolikë e amullisë së plotë në menaxhimin e sistemit shëndetësor është transferimi i komplet pacientëve të spitalit “Shefqet Ndroqi” (Sanatoriumi) drejt Elbasanit, ndërkohë që spitali (Sanatoriumi) i Tiranës, i përcaktuar Covid mbahet enkas për vetëm 5 pacientë të prekur. Ata që e vuajnë në kurriz të parët janë pacientët. Një situatë e pastër keqmenaxhimi, sic e ngriti shqetësimin me të drejtë edhe dr.Ardian Mezini.