Shqiptari kapet në Itali me 1 milion euro kokainë, mister pantera sipër pakos

Një 36-vjeçar shqiptar, i mbajtur prej kohësh nën vëzhgim, është arrestuar nga Guardia di Finanza pasi është kapur me dy kile kokainë shumë të pastër.

Vlera e tregut e drogës së kapur, shitur në doza, varion nga 800 mijë në milion euro.

Shqiptari, rezident në Rogeno, në provincën e Leccos, ka qenë i arrestuar edhe më 2012, kur u ndalua me 13 kile marijuanë dhe një revolver me numër të fshirë. Ai është dënuar më 2015 me shtatë vjet e katër muaj burg, por pas lirimit i ishte kthyer zanatit të ‘grosistit’.

Autoritetet e GDF i hynë në banesë në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku i gjetën një kilogram drogë të ndarë në qese 50 e 100 gramë, gati për t’iu shitur shpërndarësve të rrugës.

Kilogrami tjetër ishte konfeksionuar me shirita ngjitës dhe fshehur në një dollap veglash në garazhin e shqiptarit.

Sipër pakos ishte ngjitur fotoja e një pantere të zezë, simbol që me shumë gjasa tregon origjinën e drogës. Mbi këtë detaj janë përqendruar aktualisht forcat e rendit , ndërkohë që shqiptari tashmë gjendet në burg.

Sipas  komandantit provincial të GDF, Paolo Cussotto, me arrestimin e shqiptarit janë hequr nga rruga rreth 20 mijë doza kokainë.