Reeker: Partia Komuniste e Kinës, e paaftë, Perëndimi i bashkuar kundër Pekinit

NTERVISTA / Zv.ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për çështjet europiane parashikon një rikthim në marrëdhëniet transatlantike.

FIGARO. – A mundet që kriza e koronavirusit të rivendosë një marrëdhënie transatlantike në gjendje të keqe?

Philip REEKER. – Unë nuk jam dakord me premisat e pyetjes suaj. Gjithmonë ka pasur ulje-ngritje në marrëdhënien tonë, por mendoj se edhe një herë jemi së bashku në këtë krizë, 75 vjet pas mposhtjes së fashizmit në Europë.

Ne po punojmë së bashku për të mposhtur një lloj të ri armiku, koronavirusin. Kjo është një sfidë e paprecedentë, e cila na ka kapur në befasi, pjesërisht për shkak të mungesës së transparencës së një pjese tjetër e botës. Por javët kalojnë dhe angazhimi transatlantik, veçanërisht bashkëpunimi franko-amerikan, është i jashtëzakonshëm.

Ne kemi arritur të koordinojmë riatdhesimin e shtetasve tanë, po shkëmbejmë vazhdimisht informacione lidhur me virusin dhe nevojat tona dhe po koordinojmë me shumë kujdes kthimin në aktivitetin ekonomik. Zëvendëssekretari i Punëve të Jashtme, Steve Biegun, nisi një bisedë telefonike javore për koordinim, e cila mbledh së bashku anëtarët e G7 dhe përfaqësuesit nga BE-së dhe NATO-s. Ky takim i rregullt mbahet në frymën më të mirë të bashkëpunimit transatlantik, për të rishikuar të gjitha projektet e përbashkëta tregtare dhe për të parë se si të ecim përpara së bashku, në kontekstin e G7 në të cilin Shtetet e Bashkuara kanë presidencën, dhe me idenë që më pas të ngremë një diskutim më të gjerë në G20. Duhet një përpjekje globale, sepse këto janë vendet që së bashku kanë ndikim ndërkombëtar, ekspertizë globale në çështjet shëndetësore dhe burime financiare.

“Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë partnerë të shëndetit global prej 250 vitesh tashmë!” Philip Reeker

Po ashtu le të mos harrojmë, lidhjen që na bashkon, dinamizmi i sektorit privat, shumë shpesh i fshehur nga mediat, i cili përqendrohet në marrëdhëniet ndërqeveritare. Javën e kaluar, Presidenti Trump foli me Presidentin Macron për përpjekjen e ndërsjellë. Ambasada jonë në Paris është në kontakt të ngushtë me autoritetet franceze, sekretari i përgjithshëm i ministres franceze të Europës dhe Punëve të Jashtme, François Delattre, merr pjesë çdo javë në seancat e organizuara nga Biegun. Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë partnerë në shëndetin global prej 250 vitesh tashmë!

A do të bashkohen Shtetet e Bashkuara në nismën globale të nisur këtë të shtunë nga OBSH, me mbështetjen e Francës, Gjermanisë, Japonisë, Arabisë Saudite … Ju nuk i jeni bashkuar për shkak të mosmarrëveshjes me OBSH?

Shkencëtarët amerikanë janë duke punuar shumë për vaksinën kundër COVID-19 dhe ne mbështesim çdo përpjekje serioze për të ecur përpara. Siç e dini, ne kemi shqetësime të vërteta për efikasitetin e OBSH-së, duke pasur parasysh disa mangësi të mëdha të kohëve të fundit që kanë nxitur ushqyerjen e pandemisë. Por përpjekjet globale janë thelbësore në çështjet shkencore. Shkencëtarët tanë janë në kontakt jo vetëm me Europën, por edhe me homologët e tyre në Australi dhe Azi.

Shtetet e Bashkuara kanë dhuruar rreth 140 miliardë dollarë për shëndetësinë globale gjatë dy viteve të fundit, duke na bërë donatorin më të madh në botë, veçanërisht në OBSH. Ne besojmë se të gjithë duhet të mobilizohen kundër COVID-19. Sa i përket nismës specifike për të cilën po flisni, presim të dimë më shumë rreth propozimit, por mirëpresim të gjitha përpjekjet për vaksinat me interes.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Kinës që të jetë transparente për origjinën e pandemisë. Por Kina pozicionohet si lidere në shëndetësi dhe rikthehet në Europë me pajisje mjekësore, sikur kërkon të paraqitet si një zëvendësuese e udhëheqjes amerikane.

Nuk ka më mirë se sa një fotografi e bukur e një avioni të mbushur plot me maska. Nëse pajisjet e saj mjekësore janë të një cilësie të mirë, dhe nuk është thjesht një shkëmbim, ne kënaqemi për ardhjen e këtyre donacioneve në Itali apo Francë. Por shpesh, këto janë blerje komerciale. Mbi të gjitha, ne nuk kemi parë ndonjë transparencë nga Kina që prej fillimit të kësaj krize.

Popullsia europiane, për më tepër nuk mashtrohet domosdoshmërisht nga arsyet e kësaj bujarie dhe kësaj diplomacie, të cilat lidhen drejtpërdrejt me operacionet e keqinformimit të kryera nga Pekini në Francë. Ministri i Punëve të Jashtme Le Drian dhe Presidenti Macron aluduan mbi këtë. Kina ka shumë shpjegime për të dhënë. Por pas pamjeve të ngarkesave të maskave kineze, cili është kuadri? Përpjekja kineze në Francë apo gjetkë nuk ka asgjë të ngjashme me një Plan Marshall. Ne duhet të punojmë së bashku për të ecur përpara, veçanërisht në frontin ekonomik.

A nevojitet ndonjë plan për t’i dhënë fund krizës ekonomike Europë-Shtetet e Bashkuara, në mungesë të një Plani Marshall?

Ne duhet të punojmë në këtë drejtim. Bankat tona qendrore, ministrat tanë të Financave janë në kontakt. Për shëndetin global, angazhimi ynë mbetet po aq i fortë siç ka qenë gjithmonë. Në Europë, sekretari ynë i Shtetit njoftoi ndihmë prej 775 milionë dollarësh për vendet më të prekura. Në Itali, ne bëmë një përpjekje të veçantë. Ne përpiqemi të bëjmë më të mirën, edhe pse jemi gjithashtu shumë të prekur.

“Gjatë dekadave të fundit, ne kemi ndihmuar kinezët të zhvillojnë ekonominë e tyre, të largojnë qindra miliona njerëz nga varfëria. I pamë në mënyrë pasive të vidhnin teknologjinë tonë, të thyejnë rregullat dhe të tregojnë një mungesë të plotë transparence. Ka pasur një ndryshim thelbësor të vlerave!” Philip Reeker

A mendoni se kjo krizë dhe debati që është ndezur për besueshmërinë e Kinës, mund të bëjë që disa vende europiane të rishqyrtojnë hapjen e tregjeve të tyre ndaj 5G kineze?

Shoh nga deklaratat e drejtuesve dhe komentuesve francezë, se kjo temë po flitet. Siç tha sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, dhe ne vetë u ndërgjegjësuam tepër vonë. Gjatë dekadave të fundit, ne kemi ndihmuar kinezët të zhvillojnë ekonominë e tyre, të largojnë qindra miliona njerëz nga varfëria. I pamë në mënyrë pasive të vidhnin teknologjinë tonë, të thyejnë rregullat dhe demonstrojnë një mungesë të plotë transparence. Ka pasur një ndryshim thelbësor të vlerave!

Partia Komuniste Kineze është thjesht e paaftë të ketë të njëjtën transparencë dhe të njëjtin lloj debati si Perëndimi. Ne e kuptojmë se tani që kemi lëvizur nga 2G në 3G dhe më pas 4G për sa i përket infrastrukturës teknologjike, po i vendosim të dhënat tona në një situatë të cenueshme përballë Partisë Komuniste Kineze. Kjo është ajo që ne jemi përpjekur t’u tregojmë partnerëve tanë, duke ndarë shqetësimet tona dhe duke u kërkuar atyre që të reflektojnë mbi këtë temë. Ajo që kemi parë nga Kina në këtë krizë do të ushqejë mendimin.

A mund të jetë kjo krizë pika fillestare e një nisme të përbashkët për të zhvilluar një alternativë për 5G kineze? A është kjo një temë për të cilën po punon NATO?

Kjo është një temë mbi të cilën po reflektojmë. NATO është shumë aktive. Në samitin e saj në dhjetor e përfshiu Kinën si një nga kërcënimet, dhe organizata gjithashtu mori kërcënime kibernetike. Në mes të kësaj krize, NATO mirëpriti një anëtar të ri, Maqedoninë e Veriut, e cila dëshmon se komuniteti ynë dhe vlerat e tij janë të forta dhe të vërteta. Nuk dua të nënvlerësoj arritjet industriale të Kinës, por dihet se ajo vjedh informacione industriale dhe pronësinë intelektuale, dhe produktet e saj ndonjëherë janë me cilësi të dyshimtë. Qoftë për vaksinat apo për teknologjinë, shpirti i sipërmarrjes dhe volumi më i madh i tregtisë, mbetet midis dy anëve të Atlantikut. Përballë Kinës dhe krizës, ne do të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë: të bashkohemi për të ecur përpara në mënyrë të zgjuar dhe praktike. Ne do të mbështetemi te përvoja e së kaluarës për të kapërcyer sfidat e së tashmes.