Rama tërhiqet nga përpjekja për të siluruar konsensusin. Opozita e angazhuar në përmbylljen e procesit të Reformës Zgjedhore

DEKLARATA E PËRFAQËSUESIT TË OPOZITËS NË KËSHILLIN POLITIK PËR REFORMËN ZGJEDHORE, OERD BYLYKBASHI

Oerd Bylykbashi: Patëm një mbledhje me një debat shumë të fortë për sa i përket deklaratave të djeshme të kryeministrit Rama, i cili në mënyrë fare të qartë bëri tentativë të drejtpërdrejtë për të siluruar procesin politik dhe sigurisht dhe atë teknik, pra reformën zgjedhore. Atë që ne i bëmë të qartë maxhorancës sot në Këshill Politik ishte që: Kushtet që ne kemi vendosur mbi tryezë me propozimet tona janë aty mbi tryezë.

Ne nuk tërhiqemi nga ato! Jo vetëm që kërkohet vullnet politik që e garanton vetëm qeveria tranzitore, por në asnjë mënyrë nuk do të ketë mundësi kryeministri Rama që marrë në xhepin e tij administratën zgjedhore duke emëruar aty militantë politikë të veshur si të pavarur nga administrata publike. Dhe po ashtu nuk do të ketë mundësi të marrë Kolegjin Zgjedhor për t’i vënë vulën manipulimeve që kryen me administratën e kapur politikisht.

Në debatin që bëmë maxhoranca u tërhoq nga këto qëndrime dhe kjo na jep mundësinë për të vazhduar më tej. Por që të jetë e qartë: opozita jo vetëm nuk do të çedojë nga të gjitha garancitë ndër vite i janë dhënë procesit zgjedhor dhe opozitës në përgjithësi, pavarësisht kush ka qenë në opozitë, por do t’i shtojmë procesit zgjedhor garanci të tjera të cilat do të bëjnë gjithmonë e më të vështirë manipulimin. Sigurisht asnjë nga këto nuk është e mjaftueshme për të garantuar vullnetin politik që e garanton vetëm një qeveri tranzitore.

Pyetje: Pra, kryeministri është tërhequr nga dy kushtet e djeshme të panegociueshme?

Oerd Bylykbashi: Në debatin tonë ne bëmë të qartë qëndrimin tonë dhe maxhoranca në konsideratën tonë u tërhoq nga ato qëndrime që dje në mënyrë shumë provoktive Edi Rama bëri. Dua të nënvizoj një fakt, ai prononcim pikërisht në momentin që Këshilli Politik po fillonte punën duket qartë që ishte një tentativë për ta nxjerrë nga binarët punën e Këshillit Politik, sepse Edi Ramës nuk i intereson produkti konsensual i reformës zgjedhor por kërkon ta miratojë Kodin Zgjedhor vetëm me votat e tij me ato ndryshime që ai pretendon; që administrata zgjedhore të jetë e emëruar prej tij dhe Kolegji Zgjedhor të jetë i përzgjedhur prej tij t’i vërë vulën manipulimeve. Ne këtë nuk e lejojmë, në këtë Këshill Politik kjo nuk mund të kalojë kurrë!

Pyetje: Zoti Gjiknuri pak para jush hodhi disa ide sa i përket depolitizimit të administratës, por nuk u shpreh qartësisht sa i përket çështjes së Kolegjit Zgjedhor. U propozua ndonjë formulë tjetër ndryshe nga ajo që keni propozuar?

Oerd Bylykbashi: Sot debati ishte i fokusuar tek kjo çështje, jo tek detajet e propozimeve konkrete. Ajo që ne bëmë të qartë është që çdo lloj zgjidhje mbi administratën dhe çdo lloj zgjidhje për Kolegjin Zgjedhor nuk ka për ti dhënë mundësi maxhorancës për ta bërë vetëm. Asnjë lloj versioni nuk mund të kalojë nga Këshilli Politik në këtë drejtim, por ajo që ne u përpoqëm është të inkuadronim edhe njëherë bazat e kompromisit politik të janarit që kërkon që çështjet të debatohen me konsensus.

Dhe sigurisht ai që është mëkatari më i madh, jo vetëm politik por në mënyrë speciale, të veçantë për zgjedhjet që është kryeministri, është i fundit që mund të flasë dhe mund të përcaktojë ai standardet dhe kriteret e zgjedhjeve të ardhshme të shqiptarëve. Në këtë proces ne kemi bërë propozime për administratën zgjedhore, për votimin elektronik, për financimin e partive, për rinumërimin e votave, për rolin e policisë dhe të prokurorisë në proces, të gjitha në përputhje të plotë me rekomandimet prioritare të OSBE-ODIHR. Ajo që kërkon maxhoranca është e kundërta sepse provën për këtë e ka në atë që ka bërë deri më sot me zgjedhjet.

Pyetje: Po për sistemin zgjedhor çfarë qëndrimi mbajtët?

Oerd Bylykbashi: Sot ne patëm një raport nga ekspertët në lidhje me kushtetutshmërinë e propozimeve e bëra deri më sot. Çështja është e hapur për të diskutuar propozimet sa i përket sistemit zgjedhor, një gatishmëri që opozita e ka treguar gjithmonë, por çështja kryesore e debatuar sot ishte pikërisht përpjekjet për të siluruar procesin nga kryeministri dhe nevoja për të rivendosur themelet e konsensualitetit të këtij procesi gjë që gjatë kësaj mbledhje maxhoranca u tërhoq nga ato lloj qëndrimesh.