Covid-19/ Çfarë do ndodhë javët në vijim, Rama sulmon mbledhjen e firmave nga Aleanca për Teatrin

Kryeministri Rama ka dalë në një komunikim në lidhje me masat Covid-19, të cilin e ka quajtur të fundit.

Rama ka bërë me dije se transporti public, dasmat, funeralet, plazhet si edhe aktivitetet sportive do të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Ndërkohë që pjesa tjetër do të jetë e hapur.

Rama ka sulmuar edhe mbledhjen e firmave nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Rama: Ai as ka ikur dhe as është mundur përfundimisht. Numrat në Tiranë nuk po flasin mirë. Shfaqjet politike me turma pa asnjë lloj mase por përkundrazi me karshillëk që flet për papërgjegjshmëri, dhe në rastin më të keq për dritëshkurtësi po vijojnë edhe përtej të 3-tave të karakatinës së Teatrit sa për të mbledhur firma nga pseudo aktorë që janë thjesht marioneta politike dhe të bizneseve që me demek nuk kanë marrë asnjë kacidhe. Në fakt po luajnë me shëndetin e njerëzve. Bëni kujdes o njerëz. Pasojat e asaj që hoqëm deri këtu do ti kalojmë. Me shëndetin dhe jetën e familjes tuaj nuk luhet, e ka kush e ka, atë ma lini mua. Shani e shfryni sa të doni, por rrezikun e infeksionit mos e neglizhoni se është real e vrastar.

Përballuam më të keqen dhe të mos mbyllemi si rezultat i moskokëcarjes. Virusi mund të hapet si vaji në lakra pas heqjes së kufizimeve. Jam shumë në merak se kjo fazë që kemi hyrë sepse virusi as ka ikur as është mundur plotësisht.

Dua t’ju falenderoj për sjelljen si njerëz dhe qytetar në respekt dhe mirëkuptim të masave ekstreme që u detyruam të marrim. Fatmirësisht dolëm faqebardhë për gjërat që mund të shkonin për dreq. Zërat e atyre që kanë veshë por s’duan të dëgjojnë, kanë tru por s’duan të mendojnë, nuk munguan por ishin shumë pak.

Kjo është java e fundit e masave të mbetura. Me përjashtim të aktiviteteve kulturore e sportive që do të mungojnë spektatorët, dasmave e funeraleve që s’mund të mblidhen qindra njerëz, transportit public që do të jetë e mbyllur edhe pak, plazheve që do të funksionojë si më parë.

Sjellja nuk duhet të jetë si më parë se një valë e re infeksioni, dnoshta më e aggressive mund të jetë e pashmangshme dhe mund të vijë me të ftohtin dhe vjen si rezultat i papërgjegjshmërisë. Në ardhtë, do ta përballojmë. Nga ana jonë, po përgatitemi për të fuqizuar sistemin dhe për të qenë gati për një valë të re.

Struktura e re pranë autostradës Tiranë-Durrës është ngritur si një spital mbështetës. Mjekët dhe infermierët, njerëzit tanë na bënë krenarë.