Rama dhe Lleshaj iniciativë për ta bërë policinë edhe më shtypëse, por kupa po derdhet…

Pak ditë pas dhunës së palavdishme të ushtruar në mes të Tiranës, për disa orë me radhë, nga 4 e 30 e mëngjesit e deri pasdite, me çizme mbi kokën e e të rinjve, me tërheqje zvarrë të studentëve, gazetarëve, artistëve, apo kundërshtarëve politikë, pas një trajtimi brutal të mbrojtësve të Teatrit, Ministri i Brendshëm është shfaqur në zyrat e Kuvendit ku ka dorëzuar një projektligj me të cilin ai dhe struktura që drejton, marrin edhe më shumë pushtet.

Marrin edhe më shumë hapësira dhe të drejta për arbitraritet ndaj qytetarëve, duke qënë se kjo nisëm e re, parashikon përgjimin e çdo lloji dhe të kujtdo, në çdo vend, pa miratimin e Prokurorisë.

Kur dikush pret një reflektim, dhe shumë të tjerë prisnin që të kishte një lloj ndjese nga Kryeministri apo Ministri i Brendshëm për dhunën e pajustifikuar në mes të sheshit ndaj qytetarëve paqësorë, del se ata janë në një kurs krejt tjetër, dhe krejt të kundërt, duke kërkuar edhe më shumë fuqi, edhe më shumë represion, edhe më shumë mundësi shtypëse.

Shenjat e një policie të ashpër me të pamundurit, me njerëzit normal, janë dhënë prej kohësh. Alarmuese, përpara barbarisë së Teatrit, ishte rrahja e një 15 vjeçari nga një grup policësh, vetëm pse ai po lëvizte me biçikletë në digën e Liqenit. Pra një djalosh sportiv që pëlqen natyrën, dhe jo nga ana që pinë hashash poshtë pallatit, u bë shembull në mes të ditës.

Kjo polici nervoze, nën drejtimin e një ministri me të kaluar ushtarake, që ka një prej retorikave më të helmëta publike ndaj kundërshtarëve politikë dhe kritikëve të tij, tani kërkohet që të ketë në dorë të përgjojë e gjurmojë këdo, dhe kudo.

Projektligji është kontestuar në Komisionin parlamentar të Sigurisë edhe nga deputetët socialistë. Po sot, ka dalë një shkresë e Prokurorisë që e kundërshton ashpër dhe e shpall krejt në kundërshtim me Kushtetutën.

Ngjarjet e fundit në Tiranë, kanë treguar qartë, se policia, ministri dhe kryeministri, lypset të kontrollohen, të mbikqyren, për dhunën që dëshmuan se janë të gatshëm të ushtrojnë, për frikësimin që tentuan të fusin tek njerëzit. Dhe jo, të dalin totalisht jashtë kontrollit, duke marrë edhe më tepër kompetenca të errëta.

Media më e rëndësishme europiane e përshkroi si krim të rëndë ndërhyrjen me forcë ushtarake në Teatër dhe trajtimin më pas të atyre që bënë rezistencë. Zyrtarë të lartë të Bundestagut dhe Komisionit Europian u shprehën të shqetësuar. Rama po vizatohet përditë e më shumë nga vëzhgues dhe organizma ndërkombëtare si autokrat. E pikërisht në këtë atmosferë, rilindja kërkon të shtojë përndjekjen dhe dhunën ndaj qytetarëve, me përgjime të pamiratuara nga Prokurori. E gjitha, pak përpara sezonit zgjedhor, ku po shkon vendi.

Duke qënë se kartonat i kanë, dhe Gjykata Kushtetuese ende nuk kemi, me siguri, Rama dhe Lleshaj do ta çojnë këtë iniciativë deri në fund. Po kupa po derdhet./Mapo.al