Raca e re e dëshmorëve

Nga Ilir NIKOLLA

Simbolika e 5 majit, një ditë përkujtimi për dëshmorët e atdheut meriton një këndvështrim gjithëpërfshirës e më të veçantë këtë vit, zaten si edhe për temat e tjera që na shqetësojnë këtë vit të mbrapshtë të koronavirusit. Thuajse të gjithë bien dakord se pas zezonës që zuri gjithë rruzullimin, gjindja janë bërë më reflektivë dhe po rivlerësojnë dhuratën e madhe që quhet jetë. Si të mos e mendosh, kur dëgjon se shumë mjekëve në Itali, SHBA e gjetkë u është dashur të bëjnë vlerësimin e tmerrshëm se cilit të sëmurë t’i lidhin tubat e oksigjenit e cilin ta lënë në mëshirën e virusit.

Këto çaste të bëjnë të vlerësosh edhe më shumë dëshmorët e kombit tënd, të cilët fatkeqësisht, në shumicë i kemi të panjohur e të paemër, për shkak të historisë së vështirë, por edhe një sëmundjeje që e gërryen shtetin tonë tash një shekull, sëmundja e harresës. Pas çdo triumfi kombëtar, duket se jemi të dënuar të pijmë ndonjë dozë ilaçi për të harruar. Harrojmë jo veç dëshmorët e mbijetesës si komb e nisim e rivlerësojmë pushtuesit, por harrojmë edhe dëshmorët e gjuhës, dëshmorët e republikës e dëshmorët e demokracisë. Dëshmorët tanë i censurojmë në emër të ruajtjes së marrëdhënieve me ish-Perandorinë Osmane, i censurojmë në emër të një marrëdhënie më të ngushtë me shtetin grek, tani kemi nisur të tregtojmë indulgjencat e faljes së krimeve serbe në emër të fqinjësisë së mirë me Beogradin.

Qoftë edhe vetëm për të kujtuar përmbledhtas dëshmorët e paemër, të cilët censurohen nga politikisht korrektja, ja vlen simbolika e Ditës së Dëshmorëve.

Por afërmendsh, kjo s’mjafton. Pas koronavirusit, po kuptojmë se çmimi i gjakut që u kërkohet shqiptarëve është gjithmonë e më i lartë. Në shekullin XXI, po na kërkohet një racë e re dëshmori. Dëshmorëve të rinj po u kërkohet të mos shfaqen, bile as të mos vdesin, lëre më të shpallin kauzat e tyre e të kërkojnë dishepuj për to. Po lipset që ata të jenë zombie, pra të mos jenë në panteonin ku meritojnë të jenë.

Në një botë që pas koronavirusit, siç thotë sot edhe Michel Houllebeck, njëra nga mendjet më profetike të kohës tonë, pritet të jetë njësoj si më parë, veçse më e keqe, sëmundjet nga të cilat vuajnë shqiptarët do të jenë më akute, pra edhe sakrifica më e madhe. Në shekullin XXI, një të tretës së shqiptarëve që jetojnë jashtë do t’u duhet të mbijetojnë edhe më vetëm se më parë, pasi politikisht korrektja e shtetit shqiptar nuk i numëron më as si statistikë dhe pak më vonë pritet t’i shpallë si çmim gjaku që ai i paguan Perëndimit për t’u anëtarësuar pa meritë në të.

Dy e treta që mbijeton brenda kufijve të shtetit ende republikë demokratike duhet të përshtatet me kushtet e një administrate tregtare që s’është më e interesuar as për dëshmorë demokracie, as për dëshmorë shkence, as për dëshmorë feje e as për dëshmorë gjuhe. Siç i shpallën meshat e krishtera e faljet në muajin e ramazanit grumbullime, njësoj do të cilësohen më vonë edhe protestat për autonominë universitare, edhe protestat për mbrojtjen e ekonomise vendase, edhe revoltat për mbrojtjen e natyrës, edhe kryengritjet për votën e lirë.

Kur cak bëhet interesi personal e qeverisja shtyhet përpara prej levantinizmit, dëshmorët janë pengesë. Në shekullin kur marrim vesh se bota do të bëhet edhe më e keqe, dëshmorët e panjohur kanë nevojë për ndihmë. Mbrothësinë e kombit levantinët e shohin si rrezik, prandaj këtë 5 maj të vitit të koronavirusit, mirë është që ditës t’i shenjojmë edhe një nevojë të re. Dëshmorët tanë kanë nevojë që shqiptarët e shekullit XXI të udhëheqin një tjetër betejë, atë që kujtimi i tyre të mbijetojë e fitoret e arritura të mos bjerren. Në ditën kur me paciptësi, kryeministri i vendit thotë se politika do të bashkohet vetëm në varreza, kudo duhet të jepen shenjat se politika e harresës dhe e shkombëtarizimit do të përballet me një rezistencë, do përballet me një betejë për të cilën shqiptarët janë gati të paguajnë edhe çmimin që nevojitet.

1 9