PS kundër SHBA, Gjiknuri: Jemi kundër ndryshimit të Sistemit Zgjedhor

Në një kohë kur ambasada e SHBA-ve kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke propozuar që Shqipëria të aplikojë modelin danez, duket se kjo kërkesë nuk është pritur mirë nga ana e mazhorancës.

Damian Gjiknuri, përfaqësuesi i PS-së për Reformën Zgjedhore, tha se, ndryshimi i sistemit do të sillte dhe shpërbërjen e Kushtetutës, dhe do të vinte në dyshim të gjitha marrëdhëniet mes institucioneve.

“Sistemi nuk është listë dëshirash të nderuar, ka shumë sisteme, po të hapim lojën e sistemit ne do të shpërbëjmë Kushtetutën e Shqipërisë, pasi ndryshojnë të gjitha raportet mes institucioneve. Nuk mund të zgjidhet çështja e sistemit, në një kohë kur gjysma e rrugës është në rrugë, të gjithë ata që na dëgjojnë, se po u prek sistemi do preken të gjitha marrëdhëniet mes institucioneve. Sistemi mund të ndryshojë vetëm me qetësi, dhe jo me koka të nxehta”, u shpreh Gjiknuri.

Në një kohë kur palët politike në vendin tonë kishin lënë si afat të fundit për përmbylljen e Reformës Zgjedhore, 31 Majin, duket se një pikë kthese ka ardhur nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila iu ka kërkuar palëve politike ndryshimin e sistemit, që kërkon ndërhyrje dhe në Kushtetutë.

Teksa ka zhvilluar të paktën dy takime me kryeministrin Edi Rama, mësohet se SHBA tashmë kërkon një sistem zgjedhor në Shqipëri me lista të hapura, dhe për këtë ka dhënë si shembull modelin zgjedhor danez. Sistem proporcional rajonal me votim preferencial është propozimi i ambasadores amerikane që i është dërguar edhe tryezës së Reformës Zgjedhore, përmes një emaili në postën elekronike.

Por çfarë është sistemi zgjedhor danez?

‘D’Hondt’ quhet ndryshe dhe është i përbërë nga dy lista ku tek e para është lista e hapur ku mund të votohet preferencialisht kandidati për deputet kurse tek e dyta është ajo e mbyllur kombëtare ku votohet partia respektive.