Protesta në Prishtinë në kohë pandemie

Dje në sheshin kryesor të Prishtinës një numër prej 500 personave të cilë janë përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje janë grumbulluar siç kanë thënë për të bërë testime nëse mund të realizojnë protesta në kushte pandemie. Ndaj një organizimi të tillë dje nuk ka reaguar as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë e as kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Pas kritikave për mos reagim lidhur me një zhvillim të tillë ka reaguar sot kreu i Prishtinës i cili thotë se mos reagimi si Komunë mund të jetë një gabim politik por assesi ligjor dhe thotë se për një gjë të tillë ka përgjegjësi vetë si i pari i kryeqytetit.

Ahmeti gjithashtu ka përmendur edhe mos reagimin e IKSHP-së për një grumbullim të tillë masiv dhe ka rikujtuar se ky institucion kishte bërë kritika edhe kur në kryeqytet njerëzit ishin grumbulluar për marrjen e ndihmave sociale.

Megjitahtë Ahmeti thotë se pavarësisht se kush ka qenë organizatori, organizimi i një tubimi të tillë në situatën aktuale ku gjendet Kosova është i rrezikshëm dhe në kundërshtim me të gjitha rekomandimet që janë dhënë nga qeveria.

Kreu i Prishtinës thotë se një tubim i tillë ka qenë i pamatur sa i përket aspektit shëndetësor, shkelje e ligjit dhe i dëmshëm sa i përket mesazhit që është dhënë.

“Duke mos ditur formalisht se kush e ka organizuar, dhe duke ditur situatën aktuale të pandemisë, ky tubim dje ishte i pamatur, i rrezikshëm dhe në kundërshtim me krejt ato që i kane fol institucionet e nivelit qendror dhe lokal. Pra në aspektin shëndetësor ishte i pamatur, në aspektin ligjor ishte shkelje, e në aspektin e mesazhit e kujdesit i dëmshëm. Po shpresoj që kjo fjali nuk del në titull të Expressit si fjali e vetme e nxjerrun nga ky tekst, e nga ky kontekst”, ka shkruar Ahmeti.

Reagimi i plotë:

Me paska apostrofu Berat Buzhala në një status ku në fakt e paska fillu me emrin tim dhe mos-reagimin tim në lidhje me test “protesten” në shesh.

Për informim më të drejtë po i sqaroj disa fakte, sepse edhe dje një zyrtar i PDK më paska bo përgjegjës për protestën.

1. Në kushte normale, Komuna e Prishtinës lëshon leje për evenimente kulturore, promovime e ngjarje sportive në hapësira publike. Leje për protesta nuk lëshojmë, sepse e drejta e tubimit është e garantuar me kushtetutë. Në fakt, sipas ligjeve në fuqi, në rast të protestës vetëm duhet të njoftohet policia paraprakisht për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

2. Në kushte pandemie, Qeveria ka shpall situatën emergjente sipas Ligjit për Parandalimin e Përhapjes së Sëmundjeve Ngjitëse ku ka ndaluar tubimet dhe po ashtu ka ndaluar qarkullimin e lirë të qytetarëve, ku gjatë ditës i lejohet dalje 180 minuta (dy herë nga 90) vetëm për qëllime të caktuara, furnizim, emergjencë etj etj. Pra, testimi i protestës nuk hyn në aktivitetet e lejuara.

3. Në raste të tilla, secili qytetar ka të drejtën e raportimit të një shkelje ligjore, ashtu siç edhe ka të drejtë Komuna me kërku prej institucioneve si policia me kontrollu situata të tilla. Ne nuk jemi në zinxhirin komandues të policisë. Punëtorët e komunës nuk kanë të drejtë të legjitimojnë njerëz.

4. Por, siç e potencova, edhe pse kemi pas të drejtë me lajmëru situatën, nuk kam informata që ne si Komunë kemi bërë një gjë të tillë. Kemi menduar se meqenëse ishte raportuar gjithandej në kohë reale, nuk ka nevojë qe dikush ta informon policinë për këtë situatë. Policia e ka pas detyrë të kuptojë se çka po ndodhë. Ne përgjegjësi detyurese nuk kemi pas, por natyrisht kemi mujt dhe ndoshta është dasht me i lajmëru. është e qartë që arsyetimi i Policisë nuk mund të jetë që nuk kanë qenë të informuar.

5. Mos reagimi jonë si Komunë mund të jetë gabim politik, por asessi gabim ligjor. Dhe për këtë përgjegjësi politike kam unë sepse të gjithë presin në komunë që në raste të tilla unë të reagoj. Mos reagimi i IKSHP e cila në aspektin shëndetësor ka reaguar edhe për persona në Prishtinë gjatë shpërndarjes së ndihmave duhet të na tregojë për rrezikun e mbledhjes së 500 personave. Mos reagimi i policisë (me kaq informata sa i kam) ka të bëjë me moszbatimin e vendimeve të institucioneve në lidhje me qarkullimin dhe mbledhive në shesh. Më duhet këtu të them që Policia e Kosovës për mua ka qenë ndër institucionet më profesionale me të cilët kemi pas punë gjatë kësaj pandemie. Pra, nuk kam asnjë vërejtje .

Në rrafshin personal

1. Nuk po presupozoj se kush e ka organizu testimin e protestës dje. Ndoshta të gjithë e dijmë por marrje të përgjegjësisë formale nuk ka, prandaj edhe si kryetar nuk dua të spekuloj.

2. Meqenëse kam thënë se nuk do të flas për nivelin qendror, kam menduar se reagimi im do të nënkuptonte përfshirjen në një debat politik i cili është joproduktiv për komunën tonë. Por edhe mos reagimi tash po shihet si veprim politik.

3. Duke mos ditur formalisht se kush e ka organizuar, dhe duke ditur situaten aktuale të pandemisë, ky tubim dje ishte i pamatur, i rrezikshëm dhe në kundërshtim me krejt ato që i kane fol institucionet e nivelit qendror dhe lokal. Pra në aspektin shëndetësor ishte i pamatur, në aspektin ligjor ishte shkelje, e në aspektin e mesazhit e kujdesit i dëmshëm. Po shpresoj që kjo fjali nuk del në titull të Expressit si fjali e vetme e nxjerrun nga ky tekst, e nga ky kontekst.

Si Komunë, duke u kufizuar vetëm në këto aspekte, institucionet tona të rendit do të duhej të reagonin. Shteti nuk mundet me qenë për dikënd nënë e për dikënd njerkë. Përndryshe, askush nuk detyrohet as në aspektin moral të na dëgjojë thirrjet për me nejt në shpi.

Deri këtu Berat Buzhala, nuk përmenda as individë e as parti politike edhe pse mund të lexohen mes rreshtave. Ndasitë e krijuara po na bëjnë dëm në luftimin e pandemisë e sidomos në luftimin e pasojave ekonomike të pandemisë.

Ky është fokusi im, sepse mendoj që Prishtina (ku kam pozitë formale) e Kosova (ku jam qytetar) kanë nevojë të jenë të bashkuar karshi stuhisë që po na kalon e karshi rrëmujës që po na pret. Dua të jem vecse kryetar i qytetit tim. Në këtë rrafsh ndoshta kam gabuar që nuk kam reagu dje për aspektin shëndetësor (sic kam reaguar për çdo situatë të ngjashme), por aspak nuk jam pishman për mosreagimin politik.

Në analizat politike të nivelit qendror ka mjaft akterë që kanë caktuar prioritete e kanë marr anë, përfshi edhe ty. Pa dashur me e minimizu problemin që e ke ngrit e që ndoshta edhe mund të kesh të drejtë, ne vetëm po mundohemi ta mbajmë komunën në ndihmë të qytetarëve të mërzitur e brengosur, si dhe të përgatitur për sfidat e radhës.

Natyrisht se jam i brengosur për demokracinë dhe liberalizmin, ndoshta edhe më shumë se ti, por në këtë fazë mendoj se për mua dhe komunën dhe qytetarët e saj, shumë më e dobishme është solidariteti, komuniteti dhe kujdesi për secilin qytetar. Ndoshta ky kontaminim dhe polarizim i skajshëm i politikës pas një kohe nuk do të lejon as këtë, por deri në ditën e fundit do të mundohem që të kontribuoj në këtë drejtim, duke thirr për bashkim, masa ekonomike e shpëtim nga kriza. Shpresoj unë ta kem gabim e ju ta keni mirë.

Mos harroni, mos dilni pa maska, mos dilni pa nevojë dhe mos dilni grumbull. 24 raste te reja dje do të duhej të ishin alarm për të gjithë. Vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë duhet ti zbatojmë të gjithë sepse besojmë se kanë qenë vendime të imponuara shëndetësore e jo vendime të arranzhuara politike.