Policia tek Teatri/ Mesazhi fortë i artistit të njohur ndaj Veliajt

Artisti i njohur, Neritan Liçaj ka folur pas incidentit me Policinë Bashkiakë në oborrin e Teatrit Kombëtar. Në një reagim për mediat, Liçaj u shpreh se ngjarja e sotme është një provokim nga bashkia e Tiranës.

Ai tha se artistët nuk tërhiqen dhe do të kenë një përballje të fuqishme me këdo që kërkon të shemb Teatrin Kombëtar.

“Nëse do të vijnë me forca të shumta siç erdhën sot, mund ta shikojnë se si u mbush sheshi në pak minuta, ndërkohë që po vijnë edhe të tjerët. Nëse duan të tregojnë muskujt, bujrum, le të përplasen. Kush jemi në shkelje të ligjit, ne që jemi në krah të Kushtetutës, apo zotërinjtë e pushtetit që janë në krahun e paligjshmërisë”, u shpreh ndër të tjera Liçaj.

Policia Bashkiake ka shkuar sot tek Teatri Kombëtar dhe ka lënë aty një letër. Sipas dokumentit bëhet me dije se teatri tashmë është pronë e bashkisë dhe ata do marrin në dorëzim godinën. Artistët janë mbledhur në sheshin e Teatrit Kombëtar dhe janë shprehur se nuk do lejojnë këtë gjë, e kanë paralajmëruar përplasje e gjakderdhje.