Noka: Legalizimi i drogës, iniciativë kriminale për të blerë zgjedhjet

Nga Flamur Noka.

Kryeministri po i mëshon fort idesë së kanabisit “mjekësor” dhe duket se po ecën në rrugën e konkretizimit. Që Rama e ka projekt-ide të vjetër këtë gjë dhe sot mendon se u poqën kushtet ta konkretizojë, kjo nuk ka asnjëe dyshim.

Është akoma e freskët koha kur në 2016-ën, këtë sinjal e lëshoi nëpërmjet Koço Kokëdhimës – mik për kokë i Ramës atëherë – dhe skenarin e realizoi në mënyrë spektakolare narko-ministri Sajmir Tahiri me kupolën kriminale të Policisë së Shtetit.

Askush përveç PD-së nuk ngriti zërin për ketë fenomen kriminal të kanabizimit dhe kriminalizimit të vendit. As edhe ndërkombëtarët, pasi edhe ata bënë sikur nuk panë e nuk dëgjuan gjë.

Edhe atëhere ishim një vit para zgjedhjeve.

Ramës i duhej që krimit të organizuar dhe trafikantëve t’u jepte një shpërblim për kontributin në zgjedhjet e 2013 e 2015 dhe krijimi i një aleance solide me krimin për zgjedhjet e radhës.

Efektet dhe pasojat e atij fenomeni tashmë janë të njohura dhe po i vuajnë shqiptarët akoma.Të fituar nga kjo gjë dolën vetëm Rilindja dhe krimi.

Rilindja, falë kësaj aleance, falë parave të krimit dhe të drogës dhe jo votave të shqiptarëve, arriti të mbajë karrigen e pushtetit.

Krimi u fuqizua dhe ekonomikisht dhe u konsolidua si bashkortak në qeverisje.
Tani zgjedhjet po trokasin në derë. Rama dhe Rilindja janë në kuotat më të ulëta në opinionin e brendshëm dhe më gjerë.

Institucione ndërkombetare nga më prestigjiozet e konfirmojnë rrokullimën e pandalshme të Rilindjes. Ai pra, e di shumë mirë që është në zgrip dhe i pashpresë në mbështetje popullore. Dhe ekzakt si krimineli që kthehet në vendin e krimit, edhe Rama iu rikthye projekt idesë së vjetër dhe i lëshoi sinjalin krimit të organizuar dhe trafikantëve se duhet rilidhur një aleancë e re.

Garant i kësaj aleance është përsëri droga. Por këtë radhë po përpiqet ta kamuflojë në termin “mjekësor” Metodë e re, por marifet i vjetër.

Gropën ekonomike ku ka zhytur vendin kërkon ta mbushë me paratë e drogës dhe krimit( fut këtu dhe amnistinë) dhe krimin me këtë rast e ushqen mirë dhe e shndërron në skuadrone të vijës së parë në betejën elektorale si e vetmja shpresë që i ka ngelur.

As më shumë dhe as më pak kjo është ajo që fshihet pas kësaj ideje.Në kushtet tona edhe sikur një ide e tillë të mos kishte asnjë prapavijë tjetër politiko kriminale, përsëri është pothuajse e pazbatueshme dhe e rrezikshme.

Është e rrezikshme dhe rreziku ka efekte afatgjata. E them këtë pasi Shqipëria nuk është e gatshme për zbatimin e një projekt ideje të tillë. Që të kesh garanci në zbatimin e një projekti të tillë duhet që vendi të ketë një demokraci plotësisht funksionale; shteti ligjor të jetë i konsoliduar tërësisht; shteti i së drejtës të funksionojë pa ekuivoke.
Këto janë garancitë që ka një shtet për të mos rrëshqitur ky projekt në duar të botës së krimit dhe jo lloqet kryeministrore që bën kryeministri ynë.
Krahasimet, me disa demokraci të konsoliduara ku aplikohet janë të pavenda dhe përdoren thjesht për të trullosur shoqërinë.

Kanabis mjekësor për studime shkencore, p.sh kultivon Italia nëpërmjet ushtrisë në parcela të papërfillshme në funksion të instituteve shkencore që merren me studimin e kanabisit dhe efekteve të tij në sëmundje të ndryshme por atje shteti është nga më të konsoliduarit që njohim.

Ka edhe vende të tjera që po eksperimentojnë, por ne për fatin tonë të keq jemi në kushte krejt të tjera dhe realiteti i brendshëm tek ne është i pakrahasueshëm me asnjë nga këto vende. Dhe eksperiencat tek ne fatkeqësisht janë të dhimbshme. Ndaj në këtë aspekt duhen garanci të plota dhe efikase për kontroll të kultivimit dhe tregtimit. Por, a i kemi ne këto garanci?!

Në Shqipëri nuk ka një demokraci funksionale, por një regjim hibrid që keqpërdorimin e shtetit dhe pushtetit, shkallmimin e ligjeve dhe Kushtetutës sipas orekseve politike e ka normën më të zakonshme. Vullneti i pushtetit këtu ka dërrmuar demokracinë dhe shtetin.Llogarisim këtu edhe inkriminimin e pushtetit dhe rezultati del i frikshëm: Narko-regjim.
Në Shqipëri, shteti ligjor është duke lënguar dhe pothuajse i rrënuar. Bandat e trafikut dhe krimi janë të kudondodhura dhe të gjithëpushtetshme. Ndëshkueshmëria si për ata ashtu edhe për korrupsionin galopant është zero.

Bandat të lidhura të gjitha me pushtetin janë shndërruar në padrone de fakto të rajoneve të ndara të vendit sipas qejfit të tyre.

Kemi një Polici të tradhtuar tërësisht nga pushteti dhe kupola.

Shefat qëndrorë dhe rajonalë të Policisë, është vërtetuar në 2016-ën, që në rastin më të mirë janë ushtarë kokulur të krimit dhe trafikut dhe në rastin më të keq, ortakë me të.
Shteti i së drejtës është i sakatuar si mos më keq nga Rilindja në përpjekje për ta nënshtruar dhe futur nën sqetull. Tashmë ai ka ngelur vetëm si nocion që thjesht perifrazohet por është inekzistent.
Në këto kushte nuk ka asnjë garanci që licensa e kanabisit mjekësor nuk do të përdoret për të ngritur Republikën e Kanabisit.

Kush do të ishte ai apo ata biznesmenë që do t’u jepej licenca dhe bandat nuk do t’i gjunjëzonin dhe t’i shndërronin thjesht në hesapmbajtës të tyre?!

Koha ka vërtetuar se në këto 7 vite, krimi e ka bërë këtë me Kryeministrin e vendit pa llogaritur ministrat e tij që i ka përdorur si çerra rrugësh.

Atëherë, cilat janë garancitë se ky projekt nuk do të rrëshqasë?!

Në çdo vend të botës demokratike, shtyllat e shtetit janë garanci dhe jo lloqet e një kryeministri kushdo qoftë ai.

Këtu ato shtylla janë të thyera në mes e të rrëzuara përtokë nga Rilindja. Pra, jemi në kushtet ku ka Zero garanci.

Në këto kushte, gjithë ky projekt do të jetë një licencë për kanabizim afatgjatë dhe me pasoja të rënda të vendit.

Shqipëria rrezikon të kthehet në Republikë Kanabisi në duar të krimit të organizuar.

Unë e di që Rama s’do t’ia dijë për pasoja. Ai thjesht ka hallin e pushtetit që po i rrëshqet. Por pasojat do t’i vuajë Shqipëria dhe shqiptarët.

Disa nga pasojat më të shpejta do të jenë: Konsolidim i imazhit të shqiptarëve si kriminelë e trafikantë në sy të Evropës dhe imazhi i Shqipërisë si Kolumbia e Evropës, do t’i japë një goditje fatale turizmit si sektori prioritar i yni dhe perspektivës sonë.
Fuqizim ekonomik të krimit të organizuar dhe shumë shpejt dominim të tij, çka do të bëjë që ai të shtrijë kthetrat në çdo sektor të ekonomisë, rrjedhimisht duke e lejuar që ekonomia të kriminalizohet, i bie qe krimi do të kontrollojë çdo gjë në një të nesërme të afërt. (Se mos ndonjëri beson që shou të tipit OFL do të luftojnë krimin!!!)
Futjen në trend në rininë e vendit, të pasurimit të shpejtë nëpërmjet aktivitetit kriminal të drogës, mendësi që për fat të keq ka filluar të shtrijë rrënjë.

Kjo do të ketë pasoja afatgjata shumë të rënda për shoqërinë shqiptare nesër dhe këtë nuk na e kanë borxh brezat që vijnë.
Vrasjet e panumërta, që po vazhdojnë edhe sot për prishje pazaresh apo dominim e influenca në zona të ndryshme kultivimi do të fillojnë të dominojnë përditshmërinë tonë me rrisk që të shndërrohemi Meksika e Evropës.

Ka dhe shumë arsye të tjera, që tregojnë se rriskohet shumë me këtë iniciativë.

Nuk po përmend edhe faktin se sot janë mijëra familje që vajtojnë për dëmet e drogës te fëmijët e tyre. As faktin që ekonomia bujqësore do të rrënohet etj etj.

Ndaj para se ta lejojmë që vendi të katandiset i tillë, duhet të shohim vendet ku drogat kultivohen dhe efektet e saj në ato vende.

Shikoni se në çfarë gjendjeje është Kolumbia që është prodhuesi kryesor i kokainës. A ka bërë prokopi ai vend?! Jo! Vetëm trafikantët e krimi kanë bërë prokopi.Varfëri e shkatërrim i ka sjellë droga. Krim e vrasje pa fund sot e 40 vjet dhe Kolumbia nuk po del dot nga ky qerthull.

Po Afganistani, që është prodhuesi kryesor i heroinës?! Edhe në Afganistan droga ka pjellë veç varfëri e krim dhe popullsia jeton në kushte mizerabël si në Mesjetë.

Shihni po të doni dhe Meksikën e imagjinoni se si do të katandiset vendi ynë shumë shpejt në shesh beteje mes bandave të drogës. Jo se nuk po e shohin shqiptarët që në këto vite shumica e krimeve që po ndodhin kanë lidhje me drogën dhe prishjen e pazareve mes grupeve.

Pra, në përfundim edhe këto shembuj i mora që të tregoj se drogës askush, asnjë vend, asnjë popull përveç trafikantëve nuk ia ka parë hajrin por vetëm sherrin.

Ndaj kjo iniciativë, megjithëse kamuflohet bukur pas termit “mjekësor”, duhet shpallur kriminale dhe duhet bërë çdo gjë për ta ndalur. Duhet ta ndalim sot pasi në të kundërt nesër droga do të na vërë përpara të gjithëve.

Atdheu nuk do të jetë më i yni nesër, por i bandave dhe trafikantëve. Sot ata kanë pushtetin, por jo atdheun. Ata nesër do të vendosin e kontrollojnë këtu gjithçka dhe gjithçka do të jetë e tyre, edhe pushteti, edhe atdheu. T’ua pamundësojmë projektin sot që të mos na e pamundësojnë jetesën në këtë vend nesër.