Ne ju pamë. Ju e shembët Teatrin!

Nga Çlirim GJATA

Kur nazistët po largoheshin nga Parisi, vodhën shumë vepra arti të muzeve të tij. Kjo madje u konsiderua si një moment historie, në morinë e ngjarjeve të mëdha të LDB, dhe forcat aleate fituese ndërmorën një hetim të posaçëm. Shumë u gjetën, shumë të tjera nuk dihet edhe sot ku janë. Mbetet e famshme thirrja e asaj gruas parisiene, drejtuar oficerit gjerman kur po ikte me makinën e mbushur me piktura, “unë të pashë çfarë ke marrë”(i fiksuar kaq bukur ky çast edhe në art).

Kur ushtarakët e Tiranës shembën Teatrin Kombëtar, në protesta doli një parullë: “Ne ju pamë, ju e shembët Teatrin”. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Dëshmia. Ne jemi dëshmitarë. Dhe jo dëshmitarë të rremë, siç rëndom konsiderohen për shkaqe të ditura. Por një shoqëri dëshmitare për krimin e ndodhur publikisht. Dhe kur shoqëria bëhet dëshmitare e krimit, ajo nuk mund ta falë atë.

Qytetaria shqiptare ishte dëshmitare edhe për krimet e komunizmit, por sot ka një ndryshim. Qytetaria nuk është pjesmarrse në krim as aktivisht, as me heshtje dhe as me frikë. Përkundrazi, është dëshmitare kundërshtuese. Kjo është dhe thembra e Akilit e krimit, që drejton sot Shqipërinë. Mafja italiane humbi, jo dhe aq nga drejtësia, se sa kur, qytetaria e Italisë së jugut u deklarua kundër saj.

Siç e thotë edhe profesori i njohur Fitim ZEKTHI, “sundimtari mundohet me çdo mjet që, shoqërisë ti imponojë metodat e tijë në mënyrë që, ta inkriminojë totalisht atë dhe ta bëjë bashkëfajtore në krim”, pak a shumë ka ndodhur në komunizmin shqiptar, që ne e njohim shumë mirë.

Këtë po mundohet tash sa vjet të bëjë Edi Rama. Madje, jo që kur mori qeverinë, por që kur hyri aktivisht në politikë këtu e 22 vite më parë. Janë ngjarjet ato që e zbulojnë faktin se, ai e ka studiuar shumë mirë metodën e sundimit të Enver Hoxhës dhe me mjeshtrat e tij e ka përshtatur në kushtet e sotme. Thjeshtë një shëmbull. Në periudhën e sundimit enverist babai dilte dëshmitar kundër djalit në gjyq, kur ky kishte tentuar të arratisej, ose anasjelltas, duke mbrojtur “vijën e partisë”. Sot Edi Rama nuk mund ta bëjë këtë, por nuk nguron të përdorë sëmundjen e djalit të tijë për përfitime politke. Ja përshtatja në kushtet e sotme.

Ai është munduar gjithë këto kohë, që të paktën në një element e gjithë shoqëria të inkriminohet, në fenomenin korrupsion, në mënyrë që me këtë të mbulojë krimin e tij shumë planësh. Kjo nuk bëhet dot vetëm, pa bashkpunimin me krimin, jo dosido, por atë të organizuar; me kontrolluesit e parave, që nga bankat e deri parelinjtë oligarkë; me admistratën shtetrore, e cila për këto shkaqe vjen një moment detyrues e nga ligjore kthehet në ushtarake. Dhe hyn në spiralen krim per të mbuluar krimin, pafundësisht.

Këtu shtohen edhe elemente të rinj, siç është ushtria e paguar e rrjeteve sociale për tu konsideruar opinion publik, që nuk është gjë tjetër veçse “kolektivat”, që duartrokisnin dënimet e intelektualëve nëpër mbledhje a gjyqe në vitet para `90-s.
Trajnimi që i bëhet kësaj ushtrie është se, një pjesë e mirë e tyre duhet të paraqiten si radikalë të djathtë(janë “kundër qeverisë”, por shajnë vetëm opozitën dhe shkojnë deri aty sa përmendin pushkët). Këta që paraqiten si radikalë të djathtë e tradhëtojne vehten në një fakt fare të thjeshtë që ju ka shpëtuar.

Janë shumë llafazanë. Flasin më shumë se duhet. Radikalët e vërtetë të djathtë(unë nuk jam i tillë por i respektoj) nuk flasin gjatë por veprojnë. E pra kjo është në ADN e tyre, veprimi jo fukarallëku i fjalëve. Ndërsa këta të FB përdorin gjithmonë të njëtat teza, të cilat kanë dalë nga zyrat e lali Erit dhe Edi Rames. Ndaj të gjithë, që shajnë nga pozita e radikalit të djathtë, po ju them vetëm një gjë: bëjeni vetë atë që na e kërkoni ne dhe që ne, për arsye”tradhëtie”, nuk po e bëkemi dot. Ose lëpini pështymën që hidhni.

Tjetër inkriminim në bashkpunimin me Ramën, vjen edhe nga të ashtuquajturit persona publikë, të nënshtruarit e përjetshëm, që i kanë gati shkrimet menjëherë sapo ndodh ngjarja, dhe gjithmonë kundër më të dobëtit e maksimumi asnjë fjalë lëvduese kundër qeverisë, nën formulën e fmashme politically correct, që në shqip përkthehet “të lash atë… me këtë…”. Edhe në rastin e teatrit këta personazhe flasin e shkruajnë me postulate ex catedra, që në shqip do të thotë “si nana e Zeqos majë thanës”, gjithmonë dhe të gjithë me një tezë: “Po opozita pse nuk e mbrojti??”. Se mos guxojnë të thonë: “Po qeveria pse e prishi??”. Për qeverinë ka vetëm heshtje, si një larje duarsh. Ka dy mijë vjet, që nuk po na ndahet larja e duarve.

Pikërisht kjo qënje ka qënë historikisht armiku i vërtetë. Kështu silleshin këta para ’90-s, kështu sillen edhe tani. Ushqimi kryesor i politikës së pushtetit. Edhe një gjë. Kur të vij PD në pushtet, këta janë gati të shërbejnë njësoj. Kjo shtresë e meriton shtypjen e nënshtrimit.

Shikoni Këshillin Bashkiak Tiranë. Çfarë inkriminimi. Rama i ka korruptuar të gjithë në disa poste pune dhe borde drejtuese ku marrin deri në 7 apo 8 rroga të larta(ka këshilltarë që vetëm nga rrogat fitojnë 10mijë euro në muaj). Normal pastaj, qe janë të gatshëm që Teatrin ta shembin me email. Ata nuk mund ti kthejnë Ramës 7 rrogat mujore ndër vite, se s`po them ndonjë gjë tjetër. Përsa i takon burgut? “Shohim e bëjmë, me kismet! Po shkoi Rama, do gjejmë zgjidhje”. Kjo është llogjika e tyre, më pragmatistja në histori.

Këtu nuk po përmend gazetarë, që marrin një rrogë në media dhe dy në shtet. Normal që, nuk e ngrenë zërin kur tentohet të mbyllet Ora, apo kur rrihet paq nga policia gazetari Lela. Uroni o të mjerë, që Rama të rrëzohet shpejt, ndryshe do ju vijë rradha edhe ju për tu rrahur nga ai. Në diktaturë rradha të vjen gjithmonë.

Edhe artistët?! A u inkriminuan?? Kurrë nuk kam, sharë jo e jo, folur ndonjëherë kundër ndonjë artisti. Janë racë ndryshe, ndaj nuk do flas as sot kundër tyre. Por, ai peticioni, ai peticioni është shumë i dhimbshëm. Pasi u shemb teatri firmosën peticionin për shembje. E tmerrshme deri ku shkon diktati. Kjo do dhëmbi shumë gjatë. Nejse. Ka menduar Zoti edhe për këtë. Ata artistë që udhëhoqën qëndresën dhe u masakruan nga trupat policore kanë shpëtuar moralin edhe të kolegëve të peticionit. Ironia e forcës së gjërave.

A ja ka dalë Rama ta realizojeë inkriminimin total? Patjetër që jo. Kur nuk e realizuan dot as Hitleri, Stalini, Mao, Enver Hoxha, s`do ja dalë dot surrogatoja i tyre Edi Rama. Teatri Kombëtar është ngjarja që e provon këtë. Dy vjet e tre muaj protestë dhe qëndresë qytetare, më e gjata në histori(po e përsëris: E denjë për GUINNESS) sfiduan mbi të gjitha edhe inkriminimin korruptiv të Ramës.

Fakti, që u detyrua që nëpërmjet një operacioni ushtarak dhe me armë zjarri, të ndërhynte për shtypur qëndresën flet jo thjeshtë për dobësi, por për dështimin e tij në sundim. Janë pikërisht këta qëndrestarë, qytetarë, aktivistë, të rinj e të reja, të angazhuar apo të pa angazhuar, deri dhe praktikantë fetarë dhe më kryesorja artistët, që bërtitën: “Ne e pamë kush e shkatërroi Teatrin Kombëtar”. Njësoj si francezja oficerit nazist për pikturat.

Kjo nuk është pak. Qëndresa tregoi se qytetaria nuk është inkriminuar, nuk është korruptuar, përkundrazi është dëshmitare e vërtetë kundër krimit shtetror. Atëherë ku jemi këtu? Në një luftë midis qytetarisë, që egziston në emër të vlerave dhe vandalëve primitivë, që shkatërrojnë në emër të modernitetit.

Gjithsesi nazistët nuk e shkatërruan Parisin. Komandanti gjerman i trupave në momentin e fundit anuloi urdhërin direkt të Hitlerit, për hedhjen në erë të qytetit. Megjithse ai kishte vrarë dhe zhdukur me mijra njerëz në atë kasaphanë, në fund të fundit, diçka i kishte mbetur si vlerë, që e detyroi të mos shkatërronte atë qytetërim, të cilin e kemi edhe sot.

Ndërsa Erion Velia e zbatoi me shpejtësi urdhërin e Edi Ramës për shëmbjen e Teatrit. Kaq thellë ka hyrë inkriminimi te ky njeri, sa nuk gjente te vetja as atë vlerën e fundit të komandantit nazist të Parisit.

Por njerzit e panë. Ndaj dhe deklamojnë me zë të lartë: Edi Rama dhe Erion Velia, ju e shembët Teatrin Kombëtar. Ne ju pamë.