Ndërmjetësi i duhur që Reforma të mos shndërrohet në pazarin e presë me gjahtarin…

Nga Ilir NIKOLLA

Këto ditë po asistojmë në një fushatë të pisët propagandistike, e cila në mënyrë skizofrenike, fajëson opozitën se pse s’merr armët në dorë për ta rrëzuar pushtetin e Edi Ramës e nga krahu tjetër, të njëjtët personazhe e kritikojnë opozitën se pse s’gjen gjuhën e përbashkët me qeverinë për reformën zgjedhore.

Kjo fushatë e krisur është tregues i paqartësisë që ekziston brenda kampit të kryeministrit, lidhur me mënyrën se si duhet ta menazhojë regjimin e tij, tani, me ardhjen e verës dhe me shpërthimin e krizës ekonomike. Shenjë e këtij hutimi të përgjithshëm ishte edhe tweet-i i mesnatës i para dy ditëve i Edi Ramës ku shkruhej se hëpërhë, edhe dy fundjavat e ardhshme do të vijojmë të qendrojmë të mbyllur në karantinë se s’i dihet, por përgatituni për një shtetrrethim më të madh aty nga fillimi i tetorit, pasi kështu “më thonë zërat” mua.

Sa për armët në dorë, asaj qemaneje mund t’i bihet gjithë ditën, por një forcë politike që ende vepron brenda sistemit s’ka asnjë mundësi që ta shohë ardhjen e saj në pushtet nëpërmjet kësaj mënyre. Armët në dorë janë përgjegjësi e barkut të rezistencës qytetare, e cila herë pas here, po i jep shenjat e veta në sheshet e Tiranës.

Pjesa e dytë e kryqëzatës skizofrenike meriton një vëmendje të posaçme, pasi ajo po luhet brenda mjedisit politik dhe mund të shërbejë disi për të projektuar konfiguracionin politik, në një kohë të afërme. Kryeministri ka bllokuar çfarëdo mundësie për të bërë një reformë konsensuale në një kohë të afërt dhe i duhet veç një tabelë qitjeje, që të shpikë armikun-opozitë, e më pas të vërë në punë parlamentin monist, për një “zgjidhje finale” të krizës politike, pra për të ligjëruar një skenar ku për dekadën e ardhshme, ai vetë të vendosë e vetë të vulosë.

Mbi qëllimin final të Edi Ramës për të shfrytëzuar parlamentin monist për një reformë që do t’i lehtësojë mbajtjen e pushtetit dhe do ta katandisë përfaqësimin opozitar në një përfaqësi të emëruar e pa qeder, askush s’ka dyshime, prandaj ai po kërkon me çdo kusht bllokimin përfundimtar të Këshillit Politik që merret me reformën. Për këtë bllokim atij i duhet edhe propaganda që e vizaton opozitën si përgjegjësen kryesore që po pengon arritjen e zgjidhjes. Bllokimi i Këshillit Politik dhe miratimi i reformës zgjedhore nga parlamenti monist është rruga e vetme që çon tek “zgjidhja finale”, tek legalizimi i një regjimi që s’do të ketë më kurrfarë alternative pushteti.

Kundërpërgjigjja ndaj kësaj propagande është vetëm transparanca. Opozita nuk është thirrur në Këshillin Politik si një pre, që synim të vetëm ka një marrëveshje me gjahtarin, për të shtyrë shqyerjen e saj. Me një kryeministër që drejton një klikë që sillet si një gjahtare që shtyp kundërshtarët politikë dhe rrënon liritë e qytetarëve, pazari i vetëm që mund të bëhet është ai i ndërmjetësuar e i garantuar nga një instancë, para së cilës kreu i klikës është një dhelpër me dhëmbë të rënë, që nuk i funksionojnë më hilet.

S’ka më pandemi që mund të thirret në ndihmë për të shtyrë kryerjen e një reforme të drejtë zgjedhore. Transparenca dhe ndërmjetësi janë garancitë e mjaftueshme që zgjidhja e ngërçit nuk do të jetë zgjidhja finale që synon kryeministri. Përndryshe, teatri parlamentar i kukullave aty është, edhe makina e Ramës që e vizaton opozitën si djallin me brirë që po na prish punë është në funksion të plotë, e mirëpaguar dhe e etur për t’ja grahur.

Këto janë parakushtet, por panorama s’është aq keq, pasi transparenca nuk është një detyrë e vështirë për opozitën, ndërmjetësi gëzon ende admirimin e shqiptarëve të etur për të mbrojtur liritë e tyre, ndërkohë që po ky ndërmjetës e ka bërë të qartë se do ja ndalojë kryeministrit të përdorë parlamentin e kartonëve për të blerë zgjedhjet e ardhshme.

P.S: Në foto, nje karikaturë e mjeshtrit Bujar Kapexhiu