Metastazat e “Rilindjes”

Nga Red VARAKU

Të mendosh se reforma zgjedhore shëron demokracinë, është si të mendosh se paracetamoli shëron kancerin

Demokracia shqiptare i ngjan një trupi që për shkak të metastazave të rilindjes ndodhet sot në vdekje klinike.

Opozita ia doli që të bindë faktorin ndërkombëtar që për shkak të këtyre metastazave demokracia shqiptare rrezikonte asgjësimin.

Si pasojë ‘kirurgët’ e SHBA dhe BE ndërhynë në kohë dhe arritën ta shpëtojnë atë nga vdekja e sigurtë .

Prej gati një viti ata e kanë vendosur atë në reanimacion, në mënyrë që të kapen kushtet optimale për ndërhyrjen radikale, që është operacioni kirurgjikal për heqjen e kancerit malinj, që në rastin konkret është Rama me metastazat e tij , rilindjen.

Debati për sistemin është i rëndësishëm, por jo siç po tentohet të serviret, deri në pikën sa ta konsiderojmë si jetik për demokracinë, sepse nuk është sistemi zgjedhor që garanton demokracinë.

Sigurisht, ai ka probleme por në thelb respekton demokracinë. Tjetër gjë që ai shpesh reflekton paaftësinë e shoqërisë tonë për të qenë një demokraci e konsoliduar, por nuk ka asnjë argument që ai është shkaku.

Në rastin më të mirë është i sinqertë dhe tenton që t’i japë demokracisë një dimension të munguar, të cilin e vlerësoj pa masë, në rastin më të keq është si shtojcë e propagandës qeveritare për të fajësuar edhe për këtë opozitën.

Opozita është në të drejtën e saj që të ndjekë strategjinë, që ajo mendon se mund t’i maksimizojë votat dhe ta sjellë atë në pushtet. Për këtë strategji ajo do të japë llogari në zgjedhje para qytetarëve dhe para askujt tjetër.

Ndërsa, kush mendon ta përdorë këtë debat për të sulmuar dhe linçuar opozitën dhe jo si debat konstruktiv për të mirën e demokracisë dhe qytetarëve, në fakt denigron veten si instrument i pisët në duart e qeverisë.

Ky debat sot është si debati që bëjnë mjekët për llojin e antibiotikut që duhet të përdorim në mënyrë, që të kemi një demokraci të shëndetshme.

Gjithsesi, personalisht mendoj se ky debat sot është i panevojshëm para operacionit final për të zhdukur metastazat që janë shtrirë kudo, sepse për sa kohë kanceri vazhdon të mbetet në trup, antibiotiku sado i fortë qoftë, nuk mund të ketë asnjë efekt dhe rezultati do të jetë i njëjtë.