Mësuesi shqiptar në Korenë e Jugut hedh poshtë deklaratën e Ramës: Baret nuk janë mbyllur…

Emisioni Abc-ja e mëngjesit ka vënë përballë dy deklarata kontradiktore që nxjerrin në pah një tjetër “lapsus” të kryeministrit Edi Rama.

Në konferencën e përbashkët me ambasadorin e BE në Shqipëri të mbajtur të shtunën, Rama iu referua shembullit të Koresë së Jugut për frenim të hapjes së masave, ku deklaroi se ky vend mbylli baret dhe restorantet pasi pati një kërcim të rasteve të infeksionit.

“Kam parë se si në Korenë e Jugut janë rimbyllur të gjitha baret dhe restorantet sepse pas hapjes së tyre ka pasur një kërcim të frikshëm të numrave”, u shpreh Rama.

Në një lidhje me gazetarin Enkel Demi, Emanuel Rakipllari mësues në Seul të Koresë së Jugut i cili qëndronte pikërisht në një bar-kafe pas përfundimit të punës, e hodhi poshtë këtë deklaratë të kryeministrit.

Ai tha se baret dhe restorantet nuk janë mbyllur, por shtoi se përkohësisht është ndaluar frekuentimi i clubeve, për shkak se siç tha ai të rinjtë nuk tregohen të bindur për të ruajtur masat ndaj koronavirusit.

“Nuk është mbyllur asnjë bar dhe restorant. Janë mbyllur vetëm clubet e natës përkohësisht. Të gfjithë ata që shkojnë në disko duhet të lënë numrin e telefonit dhe adresën.

Janë 71 të infektuar deri tani, gjë që nuk ka shkaktuar panik, por duke pasur frikën e një shpërthimi u bë një frenim për ruajtje. Por rinia nuk dëgjon, kështu që u vendos mbyllja e clubeve.

Jeta vazhdon normalisht por vetëm që nuk shkojmë të nxjerrim stresin në disko. Jeta vazhdon normalisht dhe këtë javë do të jepet një konfirmim edhe për hapjen e shkollave”, tha Rakipllari./abcnews.al