Marshimi i opozitës i qartë, i sigurtë dhe i pandalshëm

Nga Red VARAKU

Ka një përpjekje për ta paraqitur opozitën sikur është në një marrëveshje me qeverinë, vetëm për faktin se ajo po vazhdon me përfundimin e Reformës në Zgjedhore, edhe pas provokimit qëllimisht të kryeministrit me shembjen e Teatrit Kombëtar.

A thua se pjesëmarrja në Reformën Zgjedhore me qëllim realizimin e zgjedhjeve të lira është një vendim i ri, i papritur dhe i panjohur i opozitës.

Për këtë opozita ka qenë gjithmonë e qartë, e hapur dhe e vendosur që vjet në janar, ndaj dhe mori dy vendimet historike, atë të djegjes së mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale.

Përgjimet zyrtare të prokurorisë që u publikuan nga Zëri i Amerikës dhe BILD, ku vetë kryeministri bashkë me elitën e PS parakalonte duke vjedhur vota, nuk ishin arsye më pak e vogël se shembja e Teatrit, për ta shembur këtë pushtet me dhunë dhe për t’i dërguar fajtorët para drejtësisë, por opozita që prej fillimit nuk ka kërkuar kurrë pushtet me dhunë.

Këtë vendosmëri të opozitës për shmangjen e dhunës dhe përplasjes civile, e pamë gjithashtu pas vendimit arrogant të kryeministrit për zgjedhje pa opozitën.

Një tjetër provokim i rëndë ky, ndaj të cilit opozita mbajti një qëndrim tejet korrekt dhe të përgjegjshëm për të cilin z. Basha mori vlerësimin dhe premtimin nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës.

Si pasojë e aksionit të opozitës dhe përgjegjësisë së treguar prej saj, ndërkombëtarët, të alarmuar nga ajo që panë nga përgjimet dhe përpjekja pêr destabilizim në 30 qershor, kërkuan menjëherë nëpërmjet z. Palmer dhe z.Hahn të niste puna për Reformën Zgjedhore, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë , ndëshkimin e krimit elektoral etj, si një mënyrë për të dalë nga kriza e rëndë ku ndodhej vendi.

Puna nisi në shtator, por duke parë përpjekjet e vazhdueshme të kryeministrit për të penguar realizimin e këtyre kërkesave si dhe për ta shtyrë apo vonuar Reformën Zgjedhore, ata u detyruan ta bllokonin integrimin vjet në tetor dhe ta kushtëzonin atë me nëntë kushte, që lidheshin drejtëpërdrejtë me plotësimin e kërkesave të opozitës.

Kjo ishte një fitore e jashtëzakonshme e opozitës, e cila nëpërmjet aksionit të saj ia kishte dalë ta çmontonte regjimin e kryeministrit në sytë e ndërkombëtarëve dhe t’i rikthente prozhektorët e Perëndimit drejt Shqiperisë.

Ishte tërmeti i 26 nëntorit, i cili e shtyu mbledhjen e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore në janar. Gjithsesi, Këshilli Politik në janar filloi punën dhe Reforma ishte kushti kryesor për hapjen e hapjes zyrtare të negociatave në Mars. Për shkak të pandemisë, puna e Këshillit u ndërpre, për të rifilluar sërish rreth tre javë më parë.

Kaq është ajo që po ndodh edhe tani, ndaj është i pakuptueshëm surprizimi i një pjese të opinionit në lidhje me vendimin për përfundimin e Reformës Zgjedhore.

Sigurisht, i mirëkuptoj si ata njerëz që nuk mund ta durojnë më këtë njeri dhe si ata që nuk mund ta kuptojnë se si mund të vazhdohet bashkëpunimi me të. Por, ja që Edi Rama nuk është nga ata njerëz me integritet që mund të largohet nga pushteti me protesta, sado legjitime, të gjata në kohë dhe masive qofshin ato.

Këtë e pamë me protestat e vjetshme, që duhet thënë që bashkë me aktin e djegjes së mandateve dhe vendimin për bojkotimin e zgjedhjeve janë më të mëdhatë e zhvilluara në Shqipëri pas atyre të viteve 1990.

Fatmirësisht jemi akoma në demokraci dhe protestat janë thjesht një mjet demaskimi, sensibilizimi madje dhe presioni, por nuk janë kurrë mekanizma të ndryshimit të pushtetit. Ato janë thjesht mjete sensibilizimi dhe në këtë kuptim ia kanë dalë të kenë sot në krahun e tyre jo vetëm popullin shqiptar, por edhe një nga tre faktorët më të rëndësishëm të ndryshimit të pushtetit, faktorin ndërkombëtar.

Dihet që i vetmi mekanizëm për largimin e Ramës janë zgjedhjet dhe për realizimin e zgjedhjeve me një kod të ri të dakortësuar nga palët, opozita është investuar fort që vjet në shkurt.

Pra, trajektorja e opozitës ka qenë gjithmonë e pandryshuar. Sot, ajo thjesht po realizon angazhimin e saj për përfundimin e Reformës Zgjedhore dhe më pas aplikimin e saj , të cilën ka një vit që e kërkon dhe për të cilën ka marrë angazhim para ndërkombëtarëve.

Tanimë përfundimin e këtij operacioni, siç po shikohet edhe nga ofensiva perëndimore, që ka nisur menjëherë pas 30 Qershorit si asnjëherë tjetër, e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët, të cilët janë të angazhuar në imponimin e plotësimit të kushteve të Bundestagut nga ana e qeverisë shqiptare, që në fakt do të thotë zgjedhje të parakohshme me kodin e ri zgjedhor.

Pra, operacioni për rikthimin e demokracisë në Shqipëri është drejt fundit dhe çdo nxitim ose gabim sigurisht që nuk do të bënte tjetër vetëm se do ta hidhte në erë produktin e saj.

Shqipëria është me fat që ka kaq shumë mbështetje në rrugën e integrimit europian! Qeverisë nuk i ka mbetur rrugë tjetër vetëm se të plotësojë të gjitha kushtet e Bundestagut.

Sepse Shqipëria ka nevojë për një Qeveri të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, një qeveri që e ka prioritet integrimin europian, një qeveri që punon për shqiptarët dhe Shqipërinë si gjithë Europa.