Loja me shumë porta e Klikës po na çon tek “Porta e Lartë”

Nga Ilir NIKOLLA

70-vjetori i ngjizjes së idesë “Evropë” na gjen në pozitat e absurdit. Për idealin e Evropës shqiptarëve u flet kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi, ministri i fundit i brendshëm i diktaturës, i cili ka pasur miopinë të gjejë kalemxhinj kaq të paaftë rreth vetes sa t’i shkruajnë se është një koincidencë e bukur që 9 maji, Dita e Evropës, bie veç një ditë pas Ditës së Fitores mbi Fashizmin, a thua se deklarata e Shumanit në 1950 s’ishte bërë në ditët e kremtimit të kësaj fitoreje (si edhe të diskutimit tashmë 70-vjeçar mbi firmat dyfishe të kapitullimit që gjermanët firmosën veç e veç e në dy ditë të ndryshme, me forcat perëndimore, si dhe me Stalinin).

Në Ditën e Evropës e pas 30 vitesh pluralizëm e institucione demokratike, Shqipëria është në një derexhe të tillë sa presidenti i vendit detyrohet të rinovojë angazhimin se do të përpiqet që në të ardhmen, vendi ynë të ketë një “demokraci funksionale”.

Dita e Evropës i gjen mediat e Tiranës të mbytura me raportime mbi qendrimet e burokratëve të Brukselit në mbështetje të turpshme ndaj klikës qeveritare në pushtet. Spikat raportimi se të njëjtët burokratë zhdukën nga deklarata e Samitit të Zagrebit çfarëdolloj referimi mbi detyrimin e Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës përpara se vendi të anëtarësohet në BE.

Paralelisht, në rrjetet sociale shqipfolëse, vargjet e Gjergj Fishtës mbi Evropën si “kurva e motit” janë rikthyer më popullore se kurrë dhe masin temperaturën e dëshpërimit që mbizotëron në botën shqiptare për perspektivën e integrimit tonë të shpejtë në BE. Për faje e përgjegjësi që shndërrohen në teza elektorale e mbesin jetime në mejdanin tonë, si për Shqipërinë, e aq më shumë për Kosovën, perspektiva e integrimit në BE po na raportohet përditë e më shumë si një rendje drejt mirazhit. Kemi arritur deri aty sa të bëjmë tifozllëk për shajni të tilla si shkëmbim territorial, ndërkohë që për Shqipërinë pranojmë tezat quasi-raciste të standardeve “buoni për l’Albania”.

E megjithatë, s’duhet të bredhim drejt alternativave të tjera, siç na josh përditë qeveria në Tiranë, me qendrimet e saj “sovraniste”, që në fakt janë qendrime filo-ruse e filo-kineze. S’ka pse të na paraqitet loja e madhe e Brukselit si model. Gjatë ditëve të pandemisë, secili shtet u mbyll në vetvete dhe në deklaratën në vigjilje të Ditës së Evropës, presidentët e 3 institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian nuk e përmendën fare tragjedinë e Italisë, as atë të Spanjës. Si për kundërpeshë, një ditë para 9 majit, ministria e jashtme italiane është përfshirë në njëfarë “lufte civile”, për shkak se refuzon të mbyllë dyert ndaj ofertave të Kinës për aleancë.

Shndërrimi në tampon mes SHBA dhe Kinës është parashikimi më i zymtë që mund t’i ndodhë Evropës, por ngrehina evropiane ishte konceptuar nga Shumani, De Gasperi, Adenaueri dhe të tjerët si një ndërtesë e ambicieve të mëdha, prandaj, në këtë 70-vjetor, pasi ta kalojnë tronditjen e korona-virusit, burokratët e Brukselit do të dinë të artikulohen edhe për këtë përplasje të madhe.

Por deri sa qiejt të qartësohen për këtë pikë, në plevicën e Tiranës s’ka pse të ushqejmë të njëjtat nanurisje për lojë me shumë porta, pasi ajo veç mund të na çojë në një portë, në “portën e lartë” aziatike, që sado e lartë pastë qenë, sot veç na bën dëm e na rrënon edhe këto 30 vite përpjekje drejt “demokracisë funksionale”.

Veç se perspektiva e Evropës na duket herë pas here mirazh, për shkak të klikës tonë në Tiranë, nuk ka pse të përkundemi në ëndrra-makthe, prej të cilave u çliruam me çmim gjaku 108 vjet më parë.