Kur Ogerta vazhdon të gënjejë!

Nga Bardh SPAHIA

E pabesueshme këmbëngulja për të mos reflektuar, si dhe modeli i mashtrimit të kësaj qeverie me këtë pandemi. Zonja ministre e shëndetësisë, e denjë në fakt për postin e ministres së propagandës, foli për hapjen e fashave orare në sistemin parësor. E paqartë nëse është e painformuar, nuk e kupton si funksionon sistemi shëndetësor apo bën të paditurën.

Mjekët e parësorit kanë qenë në punë cdo ditë zonja ministre, por paradoksalisht pa pacientë, për shkak se prej mëse dy muajsh gjithologu Edi Rama u ka ndaluar shqiptarëve, të vuajnë nga sëmundje të tjera, përvec virusit Corona. Dhe “suksesi” u pa tek kolapsi i plotë i shërbimit të urgjences kombëtare 127 i cili prej muajsh përgjjigjet se nuk bëjnë testime, sipas ankesave edhe pse serioze të qytetarëve!

Jeni ju që i keni lënë mjekët pa asnjë mbrojtje, duke i detyruar të blejnë nga xhepi i tyre maska e doreza dhe ky është fakt! Jeni ju që me bllokimin e konsultave, keni rrezikuar jetët e të sëmurëve! Jeni ju që keni rrezikuar jetën e të sëmurëve onkologjikë dhe jo vetëm me ndërprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale, apo reduktimin në minimum të tyre.

Trumpetuat me të madhe ofrimin e shërbimit online si zgjidhje për të mbuluar mungesat e mjeteve mbrojtëse më elementare për stafin mjekësor, dhe as që ia keni idenë fare se vizita mjekësore nuk bëhet virtualisht! Pa folur për vuajtjet e pacientëve që nuk marrin dot shërbimin mjekësor jetik, për shkak të kaosit që keni shkaktuar në sistem në të gjitha nivelet me vendimet e papërgjegjshme, kaos që ka rezultuar edhe fatal, sic ishte rasti i fundit në senatoriumin e Elbasanit!

Si mund të kujtoheni për vendosjen e masave të sigurisë, 3 muaj pas fillimit të pandemisë?

Papërgjegjshmëria juaj ndaj personelit shëndetësor ka qenë epike e do mbahet mend gjatë zonja ministre, sepse nuk u garantuat në jo pak raste as ujë të rrjedhshëm e sapun, apo maska të paskaduara e mjete minimale mbrojtëse, mungesa themelore që i denoncojnë me zë e figurë prej tre muajsh e ju e dini mirë!

Po të kishit sado pak përzemër sigurinë e personelit shëndetësor, nuk do bënit tendera sekretë për maska me cmime 4 fish më të larta se të tregut e kur pyeteni drejtpërdrejt, nuk keni as kurajon ta thoni se sa e keni blerë një maskë! Kujt i shërben kjo babëzi në kohë fatkeqësie? As mjekëve e as pacientëve sigurisht jo! Pa folur pastaj për mashtrimin mbi atë, që quani pagë lufte për personelin shëndetësor, i cili sot është në protestë, pikërisht për shkak të mashtrimit tuaj!

Këto janë prioritete zonja ministre, jo parada artificiale e fshehja pas “komitetit të ekspertëve”, që as për fasadë të paktën nuk i emëroni një drejtues!

Shëndetësia është sektori më delikat, që kërkon impenjim serioz, jo abuzim e makutëri, jo propagandë e llogari politike, sepse jeta e njerëzve nuk ka cmim zonja ministre! Mjaft abuzuat me taksat dhe shëndetin e shqiptarëve, mjaft me vjedhje. Edi Rama nuk do ju mbrojë dot para drejtësisë!