Kur ‘epidemiologu popullor’ drejton edhe ekspertët e Covid-19 …

Petri Vasili, nënkryetari i LSI, nuk ka mundur të mos e komentojë drejtimin nga Kryeministri Edi Rama deri edhe të Komitetit të Ekspertëve për pandeminë. “Po kur drejton epidemiologu popullor Edi Rama, mbledhjet e ekspertëve, gjithshka mund të thuhet….sepse ne fund të fundit dihet që ai nuk kupton asgjë!” është shprehur pa u përmbajtur Vasili, duke publikuar edhe videon si dëshmi.

“Dje Edi Rama drejtoi në mënyrë të paligjshme mbledhjen e Komitetit të Ekspertëve, – shkroi Vasili në Fb. – Se sa kupton ai nga epidemiologjia, por dhe nga nocionet minimalisht shkencore kjo dihet!

Një nga specialistët pohoi dje se bërja e vaksinës u siguron qytetarëve imunitet pasiv.

Ky është një pohim i gabuar, pasi vaksinat sigurojnë vetëm imunitet aktiv.

Imuniteti aktiv është një mbrojtje shumë e gjatë në kohë në disa raste edhe për të gjithë jetën.

Ndërsa imuniteti pasiv është një mbrojtje shumë e shkurtër në kohë dhe jo e përhershme.

Natyrshëm specialisti mund të ketë bërë ndoshta një lapsus, por askush nuk e korrigjoi dhe opinioni publik mori një informacion të gabuar.

Nëse Komiteti i Ekspertëve do të funksiononte sipas ligjit, do të kishte debate dhe natyrshëm edhe korrigjime eventuale mes kolegësh. Po kur drejton epidemiologu popullor Edi Rama, mbledhjet e ekspertëve, gjithshka mund të thuhet….sepse ne fund të fundit dihet që ai nuk kupton asgjë!