Kroaci: “Korridore turistike” tokësore vetëm për turistët nga rajoni

Qeveria e Andrej Plenkoviç publikoi vlerësimet e para të performancës ekonomike të Kroacisë për vitin 2020 dhe 2021. Qeveria këtë vit pret një rënie prej 9.4% të PBB-së dhe një rritje prej 6.1% vitin e ardhshëm (në Europë, vetëm Greqia dhe Italia pritet të kenë performancë më të dobët se Kroacia, sipas FMN-së).

Në një artikull të publikuar së fundmi, Jutarnji List paralajmëron se “çmimet e pronave do të bien në të gjithë Kroacinë”. Gazeta, e cila intervistoi agjentët e pasurive të patundshme dhe ekspertët e industrisë, parashikoi një rënie të çmimeve nga 10% deri në 30% në muajt e ardhshëm, të lidhura me tërmetin e Zagrebit (pas të cilit ndërtesat e dëmtuara u vunë në shitje me çmime të ulëta) dhe rënien e turizmit, në funksion të të cilit u ndërtuan apartamente të reja, transmeton Monitor.

“Tregu i pasurive të patundshme aktualisht e ka ndalur aktivitetin, është herët të flasim për rënien e çmimeve. Tani, njerëzit shesin vetëm nëse është vërtet e nevojshme”, thotë për gazetën Jutarnji List, Dubravko Ranilović, kryetari i Shoqatës së Agjencive të Pasurive të Patundshme në Dhomën e Tregtisë Kroate. Por ndalja e tregut nuk është sinonim i normalitetit. Çfarë do të ndodhë në tregun kroat të pasurive të patundshme kur të rifillojnë transaksionet? A ishin të shëndetshme nivelet e çmimeve në vitet e fundit apo po fshihnin një flluskë që është gati të shpërthejë?

Sektori i turizmit mbetet në vend

Pyetjet më të rëndësishme për sezonin turistik: Kur do të rihapen kufijtë në Europë? Kur dhe si mund të rifillojnë udhëtimet? Dhe kush e dëshiron me të vërtetë këtë rifillim? Ministri kroat i Turizmit, Gari Cappelli tha se pritet “një e treta e të ardhurave në krahasim me vitin e kaluar”. “Ne ende mund të diskutojmë për ardhjet e turistëve në korrik, gusht dhe shtator”, deklaroi ministri, i cili po bisedon me vendet fqinje si të organizojnë “korridore turistike” për të lejuar udhëtarët e huaj të vijnë në Kroaci me makinë.

Cappelli gjithashtu shpreson që të mbështeten në turizmin e brendshëm dhe për këtë arsye, që nga 1 qershori, do të nisë një program “CroCard”, i cili do t’u lejojë punëdhënësve t’u ofrojnë punonjësve të tyre një bonus prej 2.500 kuna (afërsisht 320 euro) për shpenzime në akomodim dhe katering, në Kroaci. Në këtë kontekst, është e vështirë të thuhet sa kompani do të vendosin ta përdorin këtë mjet dhe cili do të jetë ndikimi i tij.

Një gjë është e sigurt: turizmi i brendshëm praktikisht ka mbetur në vend në njëzet vitet e fundit dhe përbën një pjesë shumë të vogël të vëllimit të përgjithshëm të flukseve turistike. Sot, kroatët përfaqësojnë vetëm 12% të turistëve dhe 8% të qëndrimeve në hotel – shifra të cilat nuk duken premtuese për sezonin turistik 2020.

Masat e para

Së pari, qeveria ka vendosur të sigurojë të ardhura për tre muaj (3,250 kuna ose 425 euro për muajin mars, 4,000 kuna për muajt prill dhe maj) për punonjësit dhe personat e vetëpunësuar që janë prekur nga kriza: 80,000 ndërmarrje kanë kërkuar subvencion, gjithsej gjysmë milion punëtorë. Gjithashtu janë hequr taksat për kompanitë që kanë pësuar një rënie të fitimit mbi 50% për muajin mars dhe propozohet një shtyrje e taksave për kompanitë që kanë humbur midis 20% dhe 50% të xhiros së tyre.

I gjithë ky operacion do t’i kushtojë arkës së shtetit 30 miliardë kuna (4 miliardë euro), dhe për shkak të tij, borxhi pritet të rritet me 13.5% këtë vit, duke arritur në 86.7% të PBB-së në fund të vitit 2020. Objektivi kryesor i qeverisë nuk është të përmbajë deficitin dhe borxhin, por të kufizojë papunësinë, e cila gjithsesi pritet të arrijë në 9.5% në vitin 2020 dhe në 9% në vitin 2021.

Nëse këto janë masa afatmesme, në një periudhë afatgjatë, duhet vënë në pikëpyetje një sistem i tërë. Pabarazia midis bregdetit dhe kryeqytetit nga njëra anë dhe zonave të thella dhe lindjes së vendit nga ana tjetër. Roli disproporcional i turizmit dhe në veçanti i turizmit veror dhe masiv, i cili ka deformuar shumë qytete, duke rritur qiratë dhe çmimet e pronave dhe duke detyruar banorët të zhvendosen jashtë qendrave historike.

Nepotizmi, korrupsioni dhe një administratë e fryrë publike shpesh janë çështje të lidhura me njëra-tjetrën dhe një ndër shkaqet e emigrimit të vazhdueshëm, veçanërisht mes të rinjve. Me pak fjalë, nyjet e pranishme për vite me radhë brenda republikës së re, tani rrezikojnë ta zhysin vendin në një krizë. Qeveria njoftoi një sërë reformash të gjera që do të zbatohen këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

Tani që po i afrohet fundit të mandatit, (zgjedhjet duhet të ishin kryer këtë vit), pasi përjetoi shumë skandale, dorëheqje të ministrave dhe një riorganizim, qeveria e Plenković-it tani ka mundësinë të ndjekë një rrugë të re.