Gjata: Qeveria kujdestare është zgjidhja më e mire, Rama të pranojë…

Sekretari i Çështjeve Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, i ftuar në studion e “ABC News”, ka folur për Reformën Zgjedhore.

Sipas tij, “qeveria kujdestare” është zgjidhja më e mirë, ndërsa theksoi se kjo duhet të vendoset përgjithmonë, pavarësisht se kush parti është pushtet.

“Edi Rama angazhon oligarkët e tij, civilët, policinë operacionale, për të kontrolluar zgjedhjet dhe kjo situatë duhet zgjidhur. Edi Rama duhet të pranojë qeveri teknike me polici të paanshme”, u shpreh Gjata.

Gjithashtu ai u shpreh se problemi qëndron te vullneti politik. Numri i partive sipas Gjatës nuk mund të ndalohet, ndërsa shtoi se koalicionet janë çështje që kanë të mirat dhe problemet e saj, por sipas tij nuk është ky problemi kryesor.

“Kur hyn Niçja dhe të thotë,- “shef e ke të kryer”, atëherë çështja e koalicionit është më pak e diskutueshme”, u shpreh ai.

Sipas tij pa u ndryshuar vullneti politik nuk mund të ketë Gjykatë Kushtetuese, apo SPAK, ndërsa shtoi se nuk mund të bëjë kryeministri drejtësi për të futur veten e tij në burg.

“Reforma në Drejtësi duhet parë në total, me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, por  jo me Edi Ramën. Edi Rama nuk është i interesuar të ketë Gjykatë Kushtetuese. Sa të jetë Rama nuk lëviz Dvorani nga aty. Gjithë këto muaj ka penguar krijimin e BKH. Çfarë e pengon “Vettingun” të realizohet?  Është e gjithë çështje e vullnetit politik”, tha më tej Gjata.

Gjatë bisedës në studio ai u shpreh se sa më shpejt të ngrihet Gjykata Kushtetuese edhe standardi përmirësohet. Më tej ai shtoi se Partia Demokratike mbështet rindërtimin e teatrit ndërsa shtoi se personat që morën vendimin për ta shembur duhet të përballen me drejtësinë.

“Çfarë standardi vendosi Rama me çështjen e teatrit? Unë do e shemb se do të bëj diçka të bukur?! Me këtë standard të gjithë Shqipërinë e hedhim në erë. Do të protestojë shoqëria civile, por do e rrahin. Pikërisht ky standard duhet ndryshuar, sepse është shumë e rrezikshme. Ajo që ka thënë aleanca e mbështesim, ne dhe PD, e kemi detyrim të ringrejmë teatrin aty ku ka qenë dhe të çohen para ligjit ata që e kanë bërë”, tha Gjata.