Gazetari ia përplas Ramës në fytyrë: Pse e thyet karantinën, të bësh viking qenka punë?!

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot i ftuar në emisionin e gazetarit Enkel Demi, ku nuk kanë munguar as përplasjet mes tyre, ku gazetari i ka kërkuar kreut të qeverisë që të mos bëjë redaktorin e mediave, pasi ka një detyrë edhe më të rëndësishme në drejtimin e vendit.

“Ju jeni kryeministër i Shqipërisë, jo redaktor i medias”, ishte këshilla e gazetarit ndaj Ramës, ndërkohë që kreu i qeverisë tha se kushdo që ishte përballë tij nuk mund të fliste çfarë të donte. “Unë jam absolutisht jo redaktor i medias, por për sa kohë më keni përballë nuk mund të thoni çfarë të doni”, tha Rama.

Gazetari ndërkohë e pyeti kreun e qeverisë dhe për thyerjen e karantinës nga presidenti dhe nga vetë kreu i qeverisë duke udhëtuar drejt Vlorës dhe kufirin me Greqinë.

“Presidenti i Republikës nuk ka respektuar rregullin e karantinës, në fundjavë. Ju vetë keni qenë në Vlorë, nuk e keni respektuar rregullin e katrantinës”, ishte pyetja e gazetarit, ndërkohë që Rama tha: Kjo është e pavërtetë. Që në ditën 1 të gjithë personat që kanë një punë të përcaktuar. Unë dhe Presidenti i Republikës kemi një detyrë specifike që na lejohet të lëvizim edhe jashtë fashave orare të lëvizjes.

Enkel Demi: Të bësh viking nuk është punë.

Edi Rama: Për presidentin është punë, do flasim për gjëra që i interesojnë publikut?

Enkel Demi: Kush e përcakton gjërat që i interesojnë publikut? Sepse kjo mund të jetë një pyetje e ardhur nga publiku.