Freedom House: Shqipëria, regjim hibrid i pa shkëputur nga autokracia

Demokracia në Shqipëri është përkeqësuar, sipas raportit të fundit nga Freedom House.

Në një sistem vlerësimi nga 1 në 7—ku 1 tregon nivelin më të lartë të demokracisë dhe 7 nivelin më të ulët, Freedom House e ka vlerësuar Shqipërinë me 3,82 pikë në krahasim me 3,89 pikë një vit më parë. Sipas përcaktimit të FH, Shqipëria vazhdon të jetë regjim hibrid mes autokracisë dhe demokracisë.

Shqipëria vlerësohet dobët për sistemin e drejtësisë dhe pavarësinë e tij (3.25 pikë) dhe korrupsionin (2.75 pikë). Ajo gjithashtu mori rezultate më të ulta se një vit më parë për qeverisjen demokratike (3.25 pikë) dhe pavarësinë e medias (3.75 pikë).

Në rajon, Shqipëria renditet më poshtë se Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia. Ndërsa mesatarja për Europën është 5.4, ndjeshëm më e lartë se ajo e Shqipërisë.

Raporti, me titull “Kombet në Transit 2020: Rënia e Fasadës Demokratike” vëren se “një numër në rritje i liderëve në të gjithë botën po drejtojnë gjithnjë e më pak sipas rregullave të demokracisë.”

Përmes vënies në plan të parë të interesave personalë, politikanët tani nuk po fshihen më as pas një fasade të rregullave dhe parimeve demokratike. Tani ata po sulmojnë hapur institucionet demokratike dhe po përpiqen të ushtrojnë pushtetin e tyre pa kufizime.

Shumë prej vendeve në Ballkan, përfshi dhe Shqipërinë, shënuan rënie në krahasim me vitin e kaluar.

Freedom House vuri në dukje rritje të sulmeve ndaj pavarësisë së sistemit gjyqësor, kërcënime kundër shoqërisë civile dhe medias, manipulimin e kornizave zgjedhore dhe zbrazjen e parlamenteve të cilat “nuk plotësojnë më rolin e tyre si qendra të debatit politik dhe mbikëqyrjes së ekzekutivit”.

Udhëheqësit autokratikë në rajon po vazhdojnë të bëjnë propagandë me demokracinë – duke pretenduar se veprojnë sipas vullnetit të njerëzve – por me të vërtetë e bëjnë këtë vetëm për të justifikuar përqendrimin e tyre të pushtetit dhe përshkallëzimin e shkeljeve të të drejtave politike dhe lirive civile.

Freedom House shkruan që këto zhvillime kanë kontribuar në një “ndarje mahnitëse demokratike” në vendet e përfshira në raport. Ky erozion i ka lënë qytetarët të prekshëm ndaj abuzimeve të mëtejshme të të drejtave që tashmë lidhen dhe me pandeminë COVID-19.