“Europa Nostra” mbështet qëndrimin e Presidentit: Hetim Ndërkombëtar për Teatrin!

“Europa Nostra” ka përshëndetur angazhimin e Presidentit Ilir Meta, i cili kërkon hetim ndërkombëtar lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Europa Nostra shkruan se “e duartrokasim zotimin n e fortë të Presidentit ilir Meta për trashëgiminë kulturore, si një aksion kyç për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”.

“Gjithashtu, ne e falënderojmë që njohu rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile për ndërtimin e shoqërive demokratike. Teatri Kombëtar është një simbol i këtyre vlerave!”, thuhet në mesazhin e Europa Nostra.

Ky qëndrim është shoqëruar me shënimin e Presidentit Meta në Twitter, ku thuhet se “ne ramë dakord për domosdoshmërinë e fillimit të një hetimi ndërkombëtar për këtë çështje dhe informimin e mëtejshëm të institucioneve të nivelit më të lartë të Bashkimit Evropian. Nga sot, më konsideroni edhe mua një anëtar të ri të “Europa Nostra”.

Europa Nostra është një nga organizatat që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa përfshiu godinën e Teatrit Kombëtar si një nga 7 objektet që rrezikoheshin të shembeshin. Europa Nostra kishte ofruar ndihmën e saj për restaurimin e godinës, e cila u rrafshua më 17 maj nga Bashkia e Tiranës.