Ekspertët e Ramës: Sot vetëm 5 raste të reja me Covid-19…

Nga 18 raste që u raportuan dje, sot ekspertët e Ramës kanë ybuluar vetëm 5 raste të reja me Covidß19.

Rastet e reja janë zbuluar në Tiranë, Durrës dhe në Krujë, ndërsa numri i personave të shtruar ka rënë edhe më tej, duke shkuar në 14.

Deklarata e Ministrisë

Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në vendin tonë. Edhe pse situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, ka vijuar puna intensive e epidemiologëve në terren, për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin aktiv të tyre, si në zonat e kuqe por edhe në ato të gjelbërta.

Ndërkohë mjekët e familjes po monitorojne në vazhdimësi rastet aktive me Covid19 që kanë simptoma të lehta ose janë asimptomatikë. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 204 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar pozitivë 5 raste.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 3 raste në Durrës, 1 në Tiranë dhe 1 në Krujë, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive. Të shëruar janë 13 qytetarë. Gjendja në spitalin infektiv paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 14 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive.

Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 969 qytetarë. Prej tyre, rreth 80% janë të shëruar. Aktualisht janë 167 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 13,500 testime molekulare dhe serologjike. Deri tani janë mbi 1 mijë testime serologjike në personel shëndetësor, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 8%.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar rregullat, te ruani distancimin fizik dhe higjienën personale. Nëse keni shenja të Covid19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.