Diversioni kundër Opozitës si shpresa e fundit e Ramës

Nga Red VARAKU

Në 1 Prill, 2013, Ilir Meta, njeriu më i sulmuar politikisht atëkohë, qoftë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese në vitin 2008, qoftë nëpërmjet videos, e cila u pasua me katër të vrarë në bulevard në 21 Janar 2011, braktisi koalicionin katër-vjeçar me Partinë Demokratike, për t’iu bashkuar ftesës për një koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste.

Për këtë akt ‘tradhëtie’, Edi Rama u sulmua rëndë jo vetëm nga qytetarët e thjeshtë, por edhe nga vetë mbështetësit e tij, të cilët të zhgënjyer pas tetë vjetësh beteja, e konsideronin Edi Ramën një udhëheqës të falimentuar dhe një marrëveshje të tillë me LSI-në një thikë pas shpine për kauzat e tyre opozitare dhe për Partinë Socialiste. Madje, spekulimi dhe idiotësia shkoi deri aty sa disa shpreheshin, se për këtë koalicion Ilir Metës i është premtuar edhe kryeministria katër vjeçarin e dytë, deri dhe më pas PS.

Këtë pakënaqësi ndaj Edi Ramës për këtë marrëveshje mbaj mend e udhëhiqte Gazeta Tema, e cila pas një prillit rendiste me mijëra arsye, se pse ky koalicion ishte një marrëveshje në tavolinë me Sali Berishën, ndaj ishte e sigurtë që do të dështonte për të sjellë PS në pushtet, sepse ishte një koalicion i pamoralshëm dhe për këtë sipas ‘të pakënaqurve’, PS do të ndëshkohej me votë.

Asokohe, kjo lëvizje i zuri të gjithë në befasi, sepse dëshmonte një inkoherencë totale politike të Edi Ramës, e cila sipas tyre do të vinte në rrezik projektin politik të PS, për të ardhur në pushtet pas tetë vjetëve opozicion.

Kjo lëvizje nuk dëshmonte vetëm një mungesë të theksuar moraliteti, por ishte dhe një tradhëti e hapur ndaj kauzave opozitare dhe pabesi ndaj katër të vrarëve. Kjo, sipas gjykimit të shumicës, do të prodhonte një reaksion të kundërt në elektorat , për të cilin Edi Rama në fund do të ndëshkohej rëndë.

Nga pikëpamja njerëzore gjithashtu kishin shumë të drejtë. Si mund të bëhej koalicion me gjysmën ‘më të korruptuar’ të qeverisë, që kishte qenë në pushtet prej katër vjetësh? A mund ta parashikonte, që ky koalicion më pas do të votohej nga shqiptarët me një milion vota? Cila mendje mund ta pranonte që me këtë marrëveshje, adoleshenti Rama, i cili asokohe i kishte humbur të gjitha betejat e tij, do të mundte Sali Berishën? Cila logjikë mund ta pranonte këtë rezultat para zgjedhjeve të vitit 2013? A ishte e mundur një fitore e tillë nga pikëpamja e një gjykimi moral dhe të shëndetshëm?

Pra, nisur nga një logjikë e thjeshtë njerëzore sigurisht jopolitike, në 2013 ishte vërtet e paimagjinueshme që Edi Rama, kryetari humbës i opozitës socialiste, të mposhte njeriun që e kishte mundur në çdo betejë dhe që ky koalicion të sillte PS në pushtet. Kjo sepse në 2011, pas 11 vjetëve kryetar bashkie në kryeqytet, ai i kishte humbur të gjitha betejat e tij politike, ku spijat humbja përballë Lulzim Bashës, asokohe një djalosh 35 vjeçar.

Por, ja që shpesh politika duam apo nuk duam, ndjek dinamikën dhe logjikën e saj përtej dëshirave tona. Ajo gjithmonë e sfidon dhe e kapërcen logjikën e thjeshtë njerëzore, sepse diktohet nga premisa, që një mendje jopolitike nuk ka për t’i kuptuar kurrë.

Kjo logjikë është e njëjta logjikë e cila po pengon shumicën e shqiptarëve për të kuptuar se pse Edi Rama, pavarësisht dëshirës së Elisës, do të largohet detyrimisht nga pushteti dhe Lulzim Basha, përkundër logjikës së tyre do të jetë shumë shpejt kryeministër i shqiptarëve.

Kjo logjikë është e njëjta logjikë se pse akoma shumë njerëz nuk e kuptojnë, që dita e zgjedhjeve nuk është një ditë gjykimi për opozitën, por është një ditë llogaridhënie për qeverinë.

Kësaj logjike po i fryn edhe Edi Rama me shpresë se nëpërmjet saj do të arrijë të demoralizojë sadopak opozitarët dhe të karikojë më shumë të vetët, të cilët përveç atyre trushpëlarëve, e kanë të qartë që ditëve të tyre në pushtet po i vjen fundi.

Të gjitha insinuatat e tanishme për një marrëveshje të re me Ilir Metën, madje dhe me vetë Sali Berishën, janë përpjekje për të hutuar dhe mpirë mendjet e trullosura nga propaganda.

Kjo taktikë nuk reflekton vetëm mentalitetin e Ramës, i cili të gjitha ‘fitoret’ e tij politike i ka pasur pasojë të marrëveshjeve të errëta dhe të paprincipta, po reflekton edhe shpresën e tij të fundit, e cila është përçarja e opozitës. Fatmirësisht, deri tani Opozita nuk ka rënë në grackën e ngritur nga Rama duke e dënuar këtë formë diversioni me injorim.

Gjithsesi, njëjtë si në vitin 2013, Ilir Meta i ka bërë mirë llogaritë e tij dhe këto llogari i ka bërë vetëm në interes të tij dhe axhendës së tij politike dhe këtu nuk ka pse duhet të ketë asnjë iluzion, sepse LSI është parti e tretë dhe nuk e ka fshehur kurrë ambicien për të qenë parti e parë. Por, ka disa arsye që do t’i shtjellojmë më poshtë që ashtu si në 2013, Ilir Meta do të jetë me opozitën edhe pse një pjesë sërish nuk i kupton ose bën sikur nuk i kupton.

Së pari, sepse LSI ka katër vjet që bën opozitë dhe ka një marrëveshje me PD për koalicion në zgjedhjet e ardhshme. Ajo ka dëshmuar që i ka qëndruar besnike marrëveshjeve politike si në 2013, ashtu edhe në 2017 në kohën e ‘Çadrës’, ku kishte mundësi ta rrëzonte Ramën.

Së dyti, nga pikëpamja e interesit pragmatist që përmendëm më sipër, ajo e ka të qartë që do të jetë në pushtet. Duam apo nuk duam LSI është kingmaker në politikën shqiptare, ndaj nuk ka pse t’i japë oksigjen politik një kali të ngordhur si Rama dhe të rrezikojë projektin e saj, kur në koalicion me PD mund të fitojë politikisht më shumë si pushtet, ashtu edhe elektorat ashtu si në 2013.

Së treti, le ta zëmë për një moment që Ilir Meta nuk është njeri që i qëndron marrëveshjeve dhe niset vetëm nga interesi. Në këtë rast, pragmatikisht ai do të pranonte të bashkohej me Edi Ramën, vetëm në një rast. Vetëm nëse ky i fundit do t’i premtonte kryeministrinë, gjë që si nga pikëpamja politike ashtu edhe nga pikëpamja e interesit të Ramës është e palogjikshme, sepse një kryeministër si Ilir Meta brenda të majtës, jo vetëm do ta kthente Ilir Metën në lider të së majtës, por do t’i shkallmonte Ramës trashëgiminë e tij politike, me anë të të cilës ai pretendon të garantojë të ardhmen e tij politike.

Pra, duan apo nuk duan, i kuptojnë ose jo, premisat që diktojnë logjikën politike, sot janë të gjitha kundër Ramës. Shto këtu edhe kushtet e Bundestagut, pakënaqësitë dhe dështimet spektakolare të shtatë vjetëve qeverisje, perversitetin që dëshmuan përgjimet, zemërimin që dëshmuan protestat dhe vendosmërinë e Opozitës në beteja pa kompromis, dëshmi e të cilës janë djegja e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale, të gjitha këto e bëjnë largimin e Ramës të garantuar dhe fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme të thellë dhe spektakolare.