Covid-19 po shkatërron industrinë e naftës, Bankers Petroleum ndalon për herë të parë në histori prodhimin

Industria e përpunimit të naftës po kalon një situatë të vështirë, ndoshta më të vështirën në historinë e saj, që prej vitit 1929 kur ari i zi filloi të nxirrej nga nëntoka e pasur e Shqipërisë. Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe mbushja e depozitave për shkak të frenimit të konsumit në mbarë botën, kanë bërë që kompanitë vendase të detyrohen të ndërpresin aktivitetin e tyre.

Pas Albpetrol, burime nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bënë të ditur se prodhimi është ndalur dhe nga Bankers Petroleum, i cili shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe është eksportuesi më madh në vend, si dhe një ndër sipërmarrjet kryesore në vend, sa i përket të ardhurave.

Kjo është ndërprerja e parë e prodhimit në histori, që nga viti 1957, kur ka filluar nxjerrja e naftës në atë zonë. Madje as në 1997-n, prodhimi nuk u ndërpre.

Ndalimi i aktivitetit ishte i lidhur me rënien e çmimeve të naftës në bursa, por edhe me faktin që CEPSA, kompania me seli në Spanjë, ku Bankers eksporton, nuk tërheq më prodhimin nga Shqipëria.

Bankers Petroleum nuk dha koment për situatën e krijuar. Por në një intervistë rreth një muaj më parë, që Drejtori i Përgjithshëm i Bankers, Xingyun Sun dha për “Monitor”, ai deklaronte se për shkak të krizës globale, Bankers ishte në vështirësi për shitjen e produktit dhe depozitimit të tij. Zoti Sun tha se në kushtet e Forcës Madhore e cila po zbatohet nga qeveria e Spanjës, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, situata aktuale është ende shumë dinamike dhe rrethanat ndryshojnë shpejt. “Kërkesa për transport është bllokuar nga linjat ajrore dhe më pak makina në rrugë, ndërsa vendet kanë marrë masa më të ashpra për të luftuar shpërthimin e koronavirusit. Prandaj, kërkesa për naftë bruto ka ndikuar negativisht në Bankers, e cila varet edhe nga kërkesa e tregut dhe çmimi i naftës”.

Në vitin 2018, kompania kishte rreth 28 miliardë lekë të ardhura, me rritje vjetore 18%, duke u renditur e pesta më e madhe në vend, pas Kastrati, OSHEE, BKT dhe Spiecapag.

Bankers Petroleum është prodhuesi më i madh i naftës në vend. Në vitin 2019 kompania nxorri 88% të totalit të arit të zi nga nëntoka e vendit, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN). Më pas renditet kompania shtetërore, Albpetrol, me 8% të totalit. Edhe Albpetrol ka ndalur punën, sipas deklarimeve zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjisë. Operatorët e tjerë prodhuan rreth 4% të totalit (shih grafikun në fund), por nuk ka informacion nëse ata po vazhdojnë të punojnë aktualisht.

Në 2019-n, prodhimi total i naftës arriti në rreth 1 milion ton, me rritje prej 10% në raport me vitin e mëparshëm, sipas AKBN.

Ndërsa sot, pothuajse e gjithë industria ka ndalur. Ekspertët pohojnë se mbyllja e puseve ka kosto të mëdha, pasi rivënia e tyre në punë është tepër e shtrenjtë dhe kërkon kohë, për shkak të puseve ranore.

Pesha e industrisë nxjerrëse në ekonomi

Sipas të dhënave të INSTAT, industria nxjerrëse (naftë e minerale) kontribuon në rreth 2.5% të Prodhimit të Brendshëm bruto, duke qenë më i madhi nga të gjithë industritë e tjera në vend (në vend të dytë renditet prodhimi i energjisë, me rreth 2% të PBB-së.

Të ardhurat gjithsej të industrisë ndjerrëse janë rreth 650 milionë euro në vit. Sektori ka gjithsej gati 12 mijë të punësuar, sipas INSTAT.

Rekordi i prodhimit të naftës u arrit në 1974

Të dhënat historike tregojnë që nafta në vend ka filluar të nxirret që në vitin 1929 në sasi të vogla, kur inxhinierët italianë zbuluan pasurinë e nëntokës shqiptare. Rekordi i të gjitha kohërave është arritur në vitin 1974, me mbi 2 milionë ton naftë të prodhuar.

Pas viteve ’90, rekordi u shënua në vitin 2014 me gati 1.4 milionë tonë, i nxitur nga konjuktura e favorshme e tregjeve ndërkombëtare. Më pas prodhimi ra, për tu rikuperuar sërish në 2019-n, kur e kaluan sërish nivelin e 1 milion tonëve (shih grafikun).