Covid-19/ Dr.Xhepa: Instituti i Studimeve Gjenetike të Londrës i jep përgjigje gjithë skeptikëve

Dr. Gëzim XHEPA

Për ata që mendojnë dhe mbrojnë me fanatizëm që virusi është futur në Shqipëri në fund të shkurtit dhe hezitojnë të ndërmarrin një hulumtim të kujdesshëm në kurbën e dyshimtë epidemike të fund-janarit dhe fillim-shkurtit;

për të gjithë ata që nuk arritën të gjenin pikun e pritur dhe as valën e dytë, të cilën e kishin parashikuar mirë, por ja u prishi parashikimin koha e ngrohtë;

për të gjithë ata që përpiqen të gjejnë valë goditje epidemiologjike nga virusi në katër javët e marsit, duke paraqitur grafikë qesharakë në formë dhëmbësh sharre;

për të gjithë ata që mendojnë se ky virus e sulmoi Shqipërinë me çeta partizane dhe jo me ushtri, ndaj dhe se pati të mundur të gjente popullin e fshehur në izolim, duke mbetur i padukshëm dhe i paevidentueshëm në kurbat epidemiologjike, u tërheq vëmendjen e këtij punimi serioz anglez nga Instituti Gjenetik i Londrës, studim i shtrirë në gjithë botën, që argumenton:

  1. Virusi ka qarkulluar shumë me parë se është identifikuar, që nga fundi i vitit të kaluar në gjithë botën. (Testimi i 7600 personave nga gjithë bota)
  2. Shpërndarja e shpejtë është vërtetuar nga mutacionet e shumta, që për fat të mirë nuk e kanë transformuar as në agresivitet, dhe as në aftësinë e shpërndarje. Këto mutacione nuk janë veti e vetëm këtij virusi, por është natyrale për gjithë viruset.
  3. Kjo periudhë qarkullimi bën që virusi të ketë rënë në kontakt me 700 000 000 individë (apo 10% e popullsisë botërore).
  4. Viruset kanë orën e tyre biologjike, që përcaktohet nga mutacionet (ndryshimet), që pësojnë gjatë replikimit (shumëzimit) të virusit, e cila e zhvendos prezencën e virusit në Evropë dhe ShBA në fund të vitit kaluar.
  5. Nga sa u tha kërkimi i pacientit 0 është i pavlerë, se rezulton që pacientët 0 të jenë të shumtë, dhe shumë më parë se rastet.
  6. Shkalla e lartë e mutacioneve e bëjnë të vështirë evidentumin e sekuencave stabël të virusit dhe prodhimin e shpejtë të vaksinës.

Të nderuar kolegë të komitetit, kur gjithë Evropa ka kthyer kokën mbrapa, dhe po evidenton të sëmurë që nga dhjetori, përfshi këtu edhe Italinë, që ka zbritur në fillim të janarit, ju lutem sinqerisht të ktheni kokën prapa, në fund janari dhe fillim shkurti, se aty do të gjeni jo vetëm të sëmurë corona pozitiv, por edhe të konfirmoni prezencën e kurbës epidemiologjike të tij të ndërthurur me atë të gripit AH1N1.

Keni katër javë që refuzoni dhe kundërshtoni këtë hipotezë, me një të rënë të lapsit, duke kërkuar mbështetjen në fakte. Jo ne si mjekë nuk mund të japim faktet që keni mundësi t’i gjeni vetëm ju, ne ju ofrojmë hipotezën së bashku me indiciet bindëse.

Kjo nuk është kapriço shkencore për të ndarë gjithologë nga monologë, kjo nuk është as luftë për ego, apo dukje. Këtë ja u kërkoj përulësisht, se ka vlera relaksuese për ju e për qeverinë, për të ndërmarrë hapa konkret dhe të guximshëm në stabilizimin dhe normalizimin e jetës së vendit, në kolaps total social, ekonomik, shëndetësor dhe arsimor, duke bërë divorc me teori paradoksale që normaliteti mund të vendoset vetëm pas prodhimit të vaksinës, e cila do të kërkojë shumë kohë.

Nëse mendonit me fanatizëm para katër javësh se unë gabohesha, nëse për katër javë refuzuat të hulumtonit në drejtim të hipotezave të mija për kalimin e epidemisë, në pamundësi për të rikuperuar kohën e humbur, besojini të paktën OBSH-së për rekomandimin e fundit për kalimin sa më të shpejtë nga izolimi kinez në distancimin suedez.

Jepini shansin këtij populli të imunizohet nga rënia në kontakt me virusin, në periudhën më të përshtatshme të vitit, ku rrethanat klimaterike pengojnë maksimalisht kalimin nga infektimi në sëmundje.

Coronavirus quickly spread around the world starting late last year, new genetic analysis shows