Biznesi pret ndihmë, Edi Rama ofron sërish izolim

Nga Bardh SPAHIA

Pasi fabrikoi shifrat, nuk bëri testet e duhura, e përdori pandeminë COVID për të bërë tendera sekretë me cmime stratosferike, dogjën e vodhën dokumente për të zhdukur provat nga hetimi i SPAK, shembi godinën e rradhës të trashëgimisë së këtij qyteti, Teatrin Kombëtar, Edi Rama po vazhdon të abuzojë në mënyrën më skandaloze me rolin e vet. I vetmi individ që “parashikon” dy javë para se Covid do jetë problematik e dy fundjavat e ardhshme do jenë sërish pa lëvizje automjetesh!

Dhe si të ishte ndonjë kryetar fisi në një vend të harruar të Afrikës, si lugat të dielën në darkë jep udhëra verbalë nga Surreli. Kaq shumë i shijon të torturojë qytetarët e vet, sa nuk merr mundimin as t’i japë aspektin formal veprimeve të tij: me akte ligjore e nga zyra për të cilën paguhet. Dhe këtë e bën ndërsa asnjëherë në këto dy muaj nuk ka raportuar se cfarë ka bërë konkretisht gjatë pandemisë, përvec izolimit të njerëzve.

I vetmi kryeministër që vazhdon të shkatërrojë ekonominë e vendit duke izoluar qytetarët e penalizuar bizneset! I vetmi kryeministër që po i le në fatin e vet bizneset, ndërsa paratë e taksave të rritura i përdor për luksin e fasadës e për të kënaqur oligarkët pranë vetes! I vetmi kryeministër, që në vend që të gjejë rrugëzgjidhje për rrënimin ekonomik që vetë shkaktoi, investohet se si t’i izolojë edhe përtej pandemisë shqiptarët, të dielave.

Mendësia e diktaturës në një mendje të pamjekuar po sjell pasoja, që shqiptarëve do t’u duhen shumë vite për t’i kapërcyer. Çdo minutë në karrigen e kryeministrit, Edi Rama sjell dëme që do duan shumë kohë të riparohen. Edi Rama duhet shporrur, sa më shpejt aq më mirë për të gjithë!