Besnik Mustafaj: Ka pakënaqësi të madhe pas shembjes së Teatrit. Populli të ngrihet të rrëzojë qeverinë

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj tha në rubrikën “Opinion” në News24, se populli shqiptar po tregohet qaraman, duke mos u ngritur masivisht për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.

Sipas Mustafajt, shembja e Teatrit Kombëtar nuk ishte normale dhe ndodhi në kushtet e një emergjence

Sa i takon faktit që protesta nuk po organizohet nga opozita, ish-ministri u shpreh se është më mirë që një kauzë e tillë të drejtohet nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Duke komentuar Reformën Zgjedhore, ai theksoi se të dyja palët po bëjnë hile, ndërsa shtoi se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Pjesë nga intervista

Si e komentoi shembjen e Teatrit?

Prishja e Teatrit ishte një proces i ankumuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për sa kohë nuk është marrë vendim nga gjykata, ekzekutivi nuk vepron. Pra u shkel parimi themelor. U shemb natën, në kushtet e një emergjence që nuk ekzistonte në realitet dhe pa asnjë paralajmërim, pa asnjë shpjegim. Nuk ishte normale se u krye në kohë pandemie, kur e gjithë shoqëria ishte e mbyllur në shtëpi me vendim qeveria, si dhe u krye të dielën. Nuk ka asnjë aspekt që të gjendet një minimum justifikimi.

Dy protestat e zhvilluara dhe që do të vijojnë, çfarë do të dalë prej tyre?

Këto protesta do të shërbejnë për një qëllim shumë të madh, do të shërbejnë si fermentues të një pakënaqësia të madhe ndaj kësaj qeverie. Për këtë është më mirë që organizatore nuk është opozita, por Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Shoqëria shqiptare nëse nuk i përgjigjet masivisht thirrjes për protesta tregon se është e kënaqur me këtë qeveri, ose është e papjekur. Në protesta shkohet për të shprehur pakënaqësi. Jelekverdhët nuk shkuan për të sjellë në protestë opozitën, por për të shprehur një pakënaqësi. Në këtë kuptim, unë shpreoj që kjo shoqëri, që është kthyer në shoqëri qaramane, duhet ta shfrytëzojë këtë castë për të treguar që nuk është qaramane.

Mendoni se do të arrihet gjë nga protestat?

Kur thërret opozita në protestë, ajo duhet të ofrojë zgjidhje, ndërsa kur thërret aleanca për teatrin nuk është e njëjta gjë.

Basha zotohet se do të ndërtojë teatrin sic ishte, kur të vijë në pushtet. Sa e fuqishme është opozita?

Përgjegjëse për zhvillimet është qeveria, mazhoranca, dhe jo në cdo rast opozita mund ta pengojë qeverinë të gabojë. Përqendrimi i analizës te fuqia e opozitës nuk është qasja e drejtë. Opozitën duhet ta gjykojmë në programin që sjell, por nuk mund ta fajësojmë që është e dobët.

Ju jeni kundër revolucionit?

Unë jam evolucionist, nuk jam revolucionar.

Mendoni se këto protesta do të tregojnë dicka, po opozita cfarë duhet të bëjë?

Me kaq nuk do të tregojë asgjë, me këtë pjesëmarrje, por nëse do të rritet, atëherë po. Pjesëmarrja e gjerë në protesta dhe vazhdimësia e tyre mund të arrijnë të frenojnë qeverinë në marrëzinë e saj. Kryeministri është me probleme të mëdha me personalitetin e tij, kemi probleme me ekonominë. Kryeministri tha se nuk ka pas dhunë, kur u dhunuan gazetarë, artistë, njerëz që u terrorizuan nga policët. Rama tha dhe frazën më të tmerrshme që “për të shkuar te teatri, duhet të kaloni mbi trupat e tyre”. Në këtë kuptim unë jam për këmbënguljen e Aleancës për Teatrin në shpalljen e pakënaqësisë popullore.

A i shihni të afërta zgjedhjet?

Nuk besoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme. Në kalendarin politik të vendit nuk ka kohë për zgjedhje të parakohshme. Ne jemi ende pa përfunduar reformën zgjedhore, ku të dyja palët po përpiqen të bëjnë hile. Pasi të mbarojë kjo reformë do duhet një kohë për implementimin e saj për t’u përshtatur.