Reagimi i Bashës: Rama si burracak po kërkon të shpëtojë veten, por…

Kryetari i opozitës, Basha ka reaguar përmes një postimi në twitter duke u shprehur se prishja e Teatrit Kombëtar është një provokim për çdo qytetar. Ai shprehet se Rama po kërkon të shpëtojë veten si një burracak duke ja hedhur fajin kujtdo tjetër.

Postimi i plotë
Rama e shembi Teatrin Kombëtar me dhunë, kundër ligjit dhe me qëllimin e vetëm që në truallin e tij të ndërtojë kullat duke pastruar lekët e pista në mes të Tiranës.

Si hajdut ordiner ai tani përpiqet të fshehë vjedhjen e tij pas ëndrrës së shumë artistëve për një Teatër të ri. Kjo grabitje e dhunshme e pasurisë sonë kombëtare është provokim për çdo qytetar që nuk e ka marrë akoma pagën e luftës, për çdo biznes që po falimenton prej dështimeve të Ramës, për çdo të papunë sot në Shqipëri dhe për çdo shqiptar të ndershëm.

Si burracak, Rama tani përpiqet tia hedhë fajin kujdo tjetër që të shpëtojë sadopak veten. Por ai është sot mbreti lakuriq që po e tregojnë me gisht të gjithë.