Basha: Opozita është e bashkuar në një koalicion fitues, ajo që na bashkon është interesi i qytetarëve

Pyetje: Ka një pjesë të demokratëve që janë skeptikë për alenacen tuaj me LSI-në. Ke një koment?

Lulzim Basha: Komenti im i vetëm është që sot jemi në emergjencë kombëtare. Sot, të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen dhe duhet t’I japin fund kësaj situate. Nuk ka asnjë shqiptar luksin e tepërt të shkojë prapa thashethemeve apo hamendësimeve. Ka vetëm një faktor që mund t’I zgjasë jetën një qeverie në ikje dhe një kryeministri në ikje siç është Edi Rama dhe kjo është përçarja e opozitës. Këtë e di fare mirë çdokush.

E di, Edi Rama duhet ta dijë edhe çdokush tjetër. Por opozita është e bashkuar, sepse ne na bashkon diçka shumë më e madhe sesa interesat momentale të koalicionit, i cili padiskutim është dhe do të jetë një koalicion fitues. Ne na bashkon interesi i shqiptarëve. Ne na bashkon domosdoshmëria për të anulluar menjëherë, siç do t’I anullojmë kontratat korruptive të oligarkëve për t’i kthyer mbi 2 miliardë euro që sot po i jepen dhe janë planifikuar t’u jepen oligarkëve, tek prioritetet e vërteta të shqiptarëve, që janë mbështetja e familjeve në nevojë.

Po vjen një moment, ku buka e gojës nuk është më fjalë goje, kur mijëra familje shqiptare do të kenë ezauruar çdo rezervë dhe shteti nuk ka përgjigje për ta. Shteti që i ka vjedhur dhe i ka vjelur taksat për shtatë vite nuk ka përgjigje për ta, nuk ka lekë për ta, sepse lekët i ka çuar tek oligarkët.

Kjo eshtë e vërtetë, në qytetet tona kjo është e vertete, per fermerët tanë kjo është dyfish më e dhimbshme, në zonat e dëmtuara nga tërmeti të cilat jetojnë ende nëpër çadra, apo janë të detyruar të futen në banesa të pasigurta dhe që tani janë dyfish më të goditur edhe për shkak të pasojave të tërmetit edhe për shkak të pasojave të koronavirusit.

Dhe çfarë shohim? Një klloun dhe një grusht hajdutësh që bëjnë spektakël në televizor me plane tredimensionale ku prapë se prapë edhe në këto kohë pandemie e kanë mendjen tek një dhe një gjë e vetme: si të zhvasin, si të vjedhin pasuritë publike dhe taksat e shqiptarëve. Ndaj kjo është një këmbanë alarmi që i bashkohen të gjithë shqipatrët.

Padyshim që ne kemi vizionin dhe planin jo vetëm për të larguar këtë pushtet të korruptuar, por për t’u kthyer shqiptarëve bashkë me pushtetin që është I tyre dhe me votën e tyre edhe taksat e vjedhura edhe mundësinë për të mbijetuar me nder dhe me dinjitet në një Shqipëri që iu takon të gjithëve. Kjo tani është Shqipëria e pesë njerëzve.

Pesë njerëz kontrollojnë gjithçka, ekonominë, pasuritë shqiptarëve, pushtetin politik, insituticionet, parlamentin, qeverinë, drejtësinë, median, sipërmarrjen, tenderat publikë. Kjo nuk mund të jetë kurrsesi Shqipëria e pesë shqiptarëve. Kjo do të jetë Shqipëria e gjithë shqiptarëve. Ky është vizioni ynë. Ky është plani ynë.