Asambleja Universitare në Shkodër kundër vendimit për kthimin e studentëve në auditore

Përfaqësia e Asamblesë Kombëtare të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër nuk e mbështet vendimin e qeverisë për rikthimin e studentëve në auditore. Në deklaratën për mediat, kanë shprehur qëndrimin lidhur me tre çështje të rëndësishme për autonominë e universiteteve publike dhe mbrojtjen e vlerave të demokracisë.

Asambleja ka bërë kërkesë për rikthimin e të drejtës së pranimeve të reja në universitete në ciklin Bachelor dhe Master, si pjesë e autonomisë së universiteteve publike. Për këtë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit i ka kthyer përgjigje, të cilën e cilësojnë të paaergumentuar.

“Ministria e Arsimit të rishqyrtojë në kuadrin e gjendjes së krijuar dhe asaj që do të pasojë për shkak të pandemisë, e cila do të ketë ndikime negative edhe në gjendjen ekonomike dhe rrethanat e tjera të jetës së studentëve të ardhshëm dhe familjeve të tyre. Me ërfundimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, këtë të drejtë Asambleja Universitare do ta kërkojë me të gjitha mjetet demokratike”, thuhet në qëndrimin e tyre.

Përveç kësaj, kërkon anulimin e kthimit të studentëve dhe pedagogëve në salla pasi e konsiderojnë si rrezik për shëndetin dhe jetën e tyre. “Urdhri i Ministrisë bie ndesh me vendimet e Senatit Akademik dhe të Rektoratit të Univeristetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” të marra për të ligjëruar procesin e mësimit online gjatë kësaj periudhe. Ky urdhër e ka bërë më të paqartë situatën në universitetet publike. Ai cënon strukturën e vitit akademik, që përcaktohet duke u mbështetur në Rregulloren e Studimeve dhe Statutin e Universitetit të Shkodrës. Ministria tejkalon kompetencat e saj të sanksionuara me ligj si organ epror. I gjithë procesi të mbyllet online pa praninë e studentëve dhe pedagogëve në salla”, thuhet në deklaratë.

Përveç kësaj, kërkon që të shtyhet data e zgjedhjeve, që është caktuar me 12 qershor. Sipas Asamblesë, nëse nuk caktohet një datë tjetër, zgjedhjet nuk do ti njohin.