Artistët: Në burg Veliaj dhe Mazniku! Nëse nuk ka drejtësi protesta do të…

Aleanca për Mbrotjen e Teatrit e ka zhvendosur paraditen e sotme, protestën e saj, para SPAK, ku kërkon vijimin e hetimit lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Një përfaqësuese ligjore e Aleancës për Teatrin konfirmoi se SPAK ka nisur hetimet lidhur me kallëzimin e Aleancës, ndërsa kërkoi arrestimin e Veliajt dhe Maznikun.

Ajo tha se duhet të vendosen nën sekuestro preventive trualli ku ka qenë Teatri Kombëtar, të pezullohen punimet deri në një vendim përfundimtar nga drejtësia për çështjen, dhe të vendoset masa e arrestit me burg për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe nënkryetarin Ardian Mazniku, për akuzat shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv i personave që kryejnë funksione publikë.

Regjisori Robert Budina tha se, fadroma goditi godinën kur aktorët ishin brenda dhe kjo është një tentativë e pastër vrasje dhe tha se do të vazhdojnë protestat deri sa të shohin një lëvizje nga prokuroria.

“Qëllimi protestës është sensibilizimi. Kemi caktuar juristët të flasin për çfarë ne jemi këtu ndërsa në parim protesta para SPAK është sensibilizim dhe mbështetje totale nga ana jonë e prokurorëve që të vazhdojnë ato procese që kemi sjellë këtu dhe do të vazhdojmë do të sjellim. Fadroma i ra Teatrit kur ishim brenda, të veprojnë me urgjencë se ishte tentativë për vrasje. Kemi prova dhe filmime.

Prokurorët duhet të ndihen të mbështetur se ne do ta çojmë këtë lëvizje në gjithë Shqipërinë. Që mos ta çojnë popullin në përplasje me qeverinë kanë detyrën dhe moralin që të hapin procese dhe të shkojnë tutje. Nuk është faji i artistëve që mbrojtën Teatrin Kombëtar që nuk ka sistem drejtësie. Duke qenë se politika na ka vjedhur institucionet dhe drejtësinë jemi të detyruar të thërrasim popullin në fushëbeteje për të mbrojtur demokracinë.

Populli është i lodhur vëllezër prokurorë, bëhuni ju të parët që jepni shkëndijën e shpresës. Nëse ju fshihni kriminelët do të ketë një përgjigje mbarëpopullore. Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund betejën tonë pa kompromise. E kemi provuar në kurriz, as duam të bëjmë parti dhe as të përfitojmë”, tha Budina

Ndërsa pedagogu Ervin Goci tha se, protesta për Teatrin Kombëtar është protestë politike dhe çështja është politike. Ai tha se, Prokuroria ka shumë në dorë se mund të pezullojë nga detyra kryetarin e bashkisë që tani.

“Është protestë e pazakontë. Ne jemi këtu se kjo protestë është politike, sistemi i drejtësisë është shkrirë me një angazhim politik. Subjektet politike nuk mund të shfrytëzonin boshllëkun. Grabitqarët politikë shfrytëzuan boshllëkun dhe u sulën si përbindësha mbi pasuritë publike, është përgjegjësi politike e klasës politike dhe ndërkombëtarëve. Ne sot jemi njerëz gati në kufijtë e azilantëve politikë, nuk kemi asnjë siguri.

Nëse nuk ka drejtësi protesta do të jetë politike për të dhënë dorëheqjen kryeministri i pari, kryetari i bashkisë i dyti. Prokuroria ka shumë në dorë se mund të pezullojë nga detyra kryetarin e bashkisë që tani. Ai është në hetim, nuk duhet lënë asnjë moment as të veprojë dhe as të firmosë. Vendi i krimit atje duhet të kalojë në siguri prove, nuk mund të vazhdojnë punimet. Materialet e teatrit po çohen në inceneratorë. Prokurorët duhet të vazhdojnë shpejt, situata është jashtëzakonisht emergjente.

Alenaca për Mbrojtjen e Teatrin, po ashtu paralajmëroi se në SPAK do dorëzohen dosje të reja për ankuat vrasje e mbetur në tentativë ndaj ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu për tentativë vrasje. Ajo tha se do të ketë edhe padi të tjera ndaj kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, anëtarëve, për shpërdorim detyre lidhur me vendimin për shembjen e teatrit. Padi u paralajmërua dhe ndaj ministres aktuale të Kulturës dhe paraardhëses së saj si dhe drejtorin e TK për “masakër ndaj inventarëve të teatrit”.