Mendërisht i tredhur!

Nga Elona CASLLI

Kam besuar gjithnjë se nuk ka pamje më dëshpëruese se pamja e një burri të tredhur mendërisht.

Tredhja mendore është shfaqja më mjerane e një burri, ose të paktën e një qënieje që anatomikisht quhet i tillë.

Një shfaqje të tillë, do të na ofronte kreu i policisë Ardi Veliu teksa u shpjegonte deputeteve te Partisë Socialiste dhe jo vetëm, ngjarjen mbi dhunimin e djalit 15 vjeçar, ditë më parë nga katër policë.

Në gjendjen e një tredhjeje të plotë mendore, Ardi Veliu do të na shpjegonte se është e vërtetë që policia kishte pasur një kapërcim të vogël. Sipas Ardi Veliut, dhuna e katër policëve ndaj një minoreni është veçse një kapërcim i vogël dhe asgjë më shumë.

Si për të na bindur se drejtësia është vënë në vend, Ardi Veliu do të nënvizonte faktin se njëri nga policët është pezulluar dhe është nën hetim.

Ardi Veliu nuk do të mjaftohej me kaq. Pranë organizatës bazë në parti do të bënte edhe biografinë familjare të djalit, si për të justifikuar faktin se dhuna e ushtruar nga policia nuk ishte aq e dënueshme, për sa kohë fëmija vinte nga një familje reaksionare.

Impotenca mendore e Ardi Veliut , do të shfaqej haptazi teksa ky i fundit, duke iu kërkuar ndjesë zonjave të nderuara (sikundër do t’i quante ai) si Elona Gjebrea, Ermonela Felaj , Elena Xhina dhe Antoneta Dhima dhe duke nënvizuar ndjesinë respektit që kishte për këto të fundit, do të prezantonte një video ku nëna e djalit do të shfaqej me një pistoletë në dorë.

Ndërkohë, video në fjalë është pjesë e xhirimeve të një filmi, në të cilin e ëma e djalit ka luajtur një rol të caktuar.

Organizata bazë e partisë, do të dilte në përfundimin se djali ishte produkt i një edukimi të keq dhe se dhuna e policisë nuk ishte aq e dënueshme, pasi djali vinte nga një familje jo e respektueshme, sipas Ardi Veliut dhe jo vetëm.

Ardi Veliu duhet të dijë se ka shkelur dinjitetin e një gruaje dhe e ka përbaltur atë pa asnjë lloj të drejte.

Ardi Veliu para se të bëjë biografinë e një gruaje, të bëjë biografinë e tij me të drejtën dhe me përgjegjësinë që mban për pozicionin që ka.

Ardi Veliu duhet të dijë se çdo lloj biografie nuk e përligj dhunën e katër policëve mbi një minoren; përkundrazi përforcon akoma më shumë perversitetin e kobshëm të Rilindjes.

Post Scriptum- Tredhja mendore është diagnoza e kohës sonë.

1 79

2 61

3 43