Aleancë me Edi Ramën? Basha përgjigjet prerë: Ikja e Ramës është vulosur. Shqiptarët duan ndryshimin!

Pyetje: Ka një perceptim, ndoshta është propagandë e Edi Ramës ndoshta është përceptim real që zoti Basha përsëri do të ketë aleancë me Edi Ramën për zgjedhjet që do të vijnë ose për procesin zgjedhor. Ma thua me të prerë dhe të qartë zoti Basha: do ketë më bisedime apo ulje me Edi Ramën apo Rama është ai që ju thoni në tërë këtë intervistë?

Lulzim Basha: Partia Demokratike nuk ka bërë ndonjëherë aleancë me Partinë Socialiste, t’i themi gjërat ashtu siç janë. Marrëveshja e 2017 kishte një qëllim: të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme. Në marrëveshje ka dy palë. Ne iu përmbajtëm, nuk blemë vota, nuk futëm kriminelë në zgjedhje, pala tjetër bëri atë që e dinë gjithë shqiptarët, edhe si rezultat i publikimeve të Bild të atyre përgjimeve të prokurorisë,. Bild ka botuar përgjime të prokurorisë shqiptare e cila vazhdon të flejë gjumë mbi dosjet e krimit elektoral.

Pra, edhe njëherë, 2017-ta ishte një marrëveshje për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme. Që zgjedhjet nuk ishin të lira e të ndershme është tërësisht përgjegjësi e Edi Ramës dhe kjo është arsyeja pse është tërhequr nga akuzat për Bild, sepse nëse do t’i shkonte deri në fund, gjyqtarët gjermanë do të faktonin tashmë në mënyrë juridike dhe institucionale atë që gjithë e dinë politik, atë që s’po e bën dot drejtësia shqiptare: vjedhjen e zgjedhjeve dhe bashkëpunimin e Edi Ramës me krimin.

Ndaj nuk është i interesuar as për reformën zgjedhore, nuk është i interesuar as për reformën në drejtësi dhe prandaj lëshon shashka nga mëngjesi deri në darkë si këto që përmendet këtu. E vetmja shpresë e Edi Ramës, është shpresë e kotë, është të vazhdojë të mbjellë huti dhe përçarje mes njerëzve, por në fakt me sa shoh edhe nga terreni, është një shkrepëse e lagur. Dhe kryeministri në ikje ka vetëm diçka në dorë: të ikë me faqe të bardhë apo të ikë me faqe të zezë! Kaq ka në dorë se ikja e tij është vulosur. Është vetëm çështje kohe, natyrisht ne si opozitë do të investohemi që kjo kohë të jetë sa më e shkurtër, sepse kështu i shkurtojmë edhe vuajtjet njerëzve.

Pyetje: Zgjedhjet e parakohshme, jeni gati për të marrë qeverinë para vitit 2021 apo do të prisni që të vijë rotacioni normalisht?

Lulzim Basha: Çdo ditë me Edi Ramën në pushtet është një kosto e papërballueshme për qytetarët shqiptarë. Dështimet e kësaj qeverie çdo ditë rëndojnë mbi supet, tavolinat dhe xhepat e shqiptarëve dhe ne nuk do të rreshtim të bëjmë gjithçka që t’ia shkurtojmë këtë vuajtje shqiptarëve dhe do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të kenë mundësi të zgjedhin me votën e tyre një parlament legjitim, një qeveri legjitime.

Sot që jemi në stacionin e fundit të kësaj beteje, sot që kemi përballë një qeveri në ikje dhe një kryeministër në ikje, detyra jonë kryesore është që bashkimin e shqiptarëve ta bëjmë sa më të madh të mundshëm dhe këtë mund ta arrijmë vetëm duke i shërbyer interesave të të gjithë shqiptarëve, duke mos qenë zemërngushtë dhe mendjengushtë. Unë ju siguroj që unë, Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar jemi sot zëri i shumicës së shqiptarëve dhe do të jemi nesër mbartësit e aspiratës së çdo shqiptari për ndryshim, pavarësisht prej bindjeve politike sepse e di që ndryshimi është ajo që duan sot shumica dërrmuese e shqiptarëve, ndërkohë që një pakicë e vogël do të mbajë privilegjet, do të mbajë status quon.

Por nuk do tia dalë sepse siç e thash Edi Rama ka vetëm një gjë në dorë sot, do të iki më faqe të bardhë apo do të iki me faqe të zezë. Shqipërisë i është nxirë faqja, edhe Edi Ramës i është nxirë faqja, por të paktën kësaj radhe ka në dorë një herë të vetme të marrë një vendim pro qytetarëve shqiptarë dhe jo pro atyre me të cilët ka mbajtur peng Shqipërinë, ekonominë e shqiptarëve dhe integrimin europian të shqiptarëve dhe të lejojë një rrotacion normal të pushtetit. Në çdo rast ndryshimi është i pashmangshëm dhe largimi i tij dhe bandës së tij është vulosur.